Rama për refugjatët: Do të ndihmojmë vetëm si pjesë e Europës
11 Mars 2016
Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, komentoi akuzat e ngritura mbi mbylljen e kufijve nga ana e qeverisë për t’i mbrojtur nga emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme. “Ne nuk mund të hapim kufij në kushtet kur nuk ka plan evropian e nuk jemi pjesë e një plani evropian. Nuk kemi delirin që mund të zëvendësojmë Europën në këtë krizë. Ne mund të ndihmojmë si pjesë e Europës”, tha Rama.
Ai bëri të ditur edhe qëndrimin e mbajtur prej tij para zyrtarëve europianë lidhur me këtë çështje. “Nëse duam të shmangim kolapsin e Europës dhe të gjithë kësaj drame, duhet të ketë plan europian dhe Shqipëria është e gatshme të marrë pjesën e saj, aq sa të na takojë, brenda një plani europian nuk mund t’i jepen Greqisë thjeshtë lek. Duhet të ndihmohet edhe përtej parave dhe i gjithë korridori të jetë i pajisur me një infrastrukturë europiane. Ata vinë në Europe e duhen pritur si në Europë”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se projekti për ndërtimin e parkut të lodrave te kodrat e Liqenit nuk parashikon prerjen e asnjë peme.
Ai informoi se po zhvillohen dëgjesa publike për zbatimin e projektit te Kodrat e Liqenit. Po ashtu, Rama vuri në dukje se do të shtohet sipërfaqja e gjelbër e Parkut, ndërsa bëri të ditur se do të zbatohet dhe një projekt për zhvillimin e parkut të Liqenit të Kasharit. “Të jeni të sigurtë se të gjithë ata që po e kundërshtojnë sot këtë projekt, do të jenë të gëzuar kur të çojnë fëmijet tek ai park lodrash. Pojekti ynë është kompleks. Kur ai park të përfundojë, do të rilindë kopshti zoologjik, bashkë me kopshtin botanik, do të ketë projekt për biçikleta, kuaj etj”, u shpreh Rama.
Por, Rama tha gjithashtu se askush nuk do të lejohet të përdorë shantazhin ndaj qeverisë. “Koha kur mund t’i bëjnë shtetit shantazh ka mbaruar”, deklaroi Rama, duke u shprehur po ashtu i gatshëm për të pranuar palët për të biseduar.
Kreu i Ekzekutivit, duke komentuar konsumin tha se ai është rritur edhe për shkak të uljes së taksave duke e argumentuar këtë me shtimin e të ardhurave në buxhetet familjare.
“Ne kemi ulur taksat për 83 mijë familje me biznes të vogël. Paguajnë zero taksë. Milionat që kemi lënë në arkën e tyre familjare ndikojnë tek konsumi”, u shpreh ai.
Sa i përket të ardhurave, Rama u shpreh se kjo qeveri ka bërë rritje të mbledhjes së të ardhurave të barabartë më 1 % të PBB-së. Lidhur me punësimin, shefi i qeverisë u shpreh se ka rritje të atyre që kërkojnë punë.
Rama solli në vëmendje një tjetër shifër, atë të të punësuarve të regjistruar. “Kur ne erdhëm në qeveri në librin e llogarive të këtij shteti kishte mbi 470 mijë të punësuar. Sot ka mbi 630 mijë të punësuar”, deklaroi ai. Gjithsesi, tha Rama, papunësia është problem i madh. “Papunësia kronike është ajo për të cilën po luftojmë çdo ditë. Por kjo që kemi bërë është historike”, tha ai.
Rama komentoi edhe disa shërbime që janë dhënë me koncension nga qeverisja e mëparshme konkretisht atë të skanimit në dogana.
Sipas Ramës, pagesa e skanimit në dogana, për biznesin e manifakturës do të bëhet nga shteti. “Do të paguajmë 4.5 milion dollarë nga buxheti i shtetit në mënyrë që të mos bjerë eksporti i manifakturës”, deklaroi ai.
Duke u ndalur në reformën në shëndetësi, Kryeministri Rama tha se kemi kapacitete investuese në shëndetësi që nuk është i mjaftueshëm. Por sot, theksoi ai, kemi siguruar mjekun e familjes falas. “Kemi siguruar se nëse merr rekomandim tek mjeku i familjes siguron shërbime 7-8 herë më të ulëta se deri dje në shërbimet spitalore. Kemi siguruar që çdo shqiptar të përfitoj kontroll shëndetësor falas. Kemi vendosur në shërbimet spitalore 96 mijë instrumenta të rinj”, deklaroi Rama.
I pyetur nëse ka një marrëveshje që Ilir Meta të zgjidhet President, Rama tha se nuk ka një marrëveshje të tillë por që Presidenti i ri do zgjidhet në marrëveshje me partnerin e koalicionit.
Ndaje me miqte