Rama për rekomandimin e Ke: &ldquoFruti më i bukur i 3 vjetëve beteja për reformat&rdquo
TRIBUNA
10 Nentor 2016
Vendimi i Komisionit Europian konsiderohet nga Kryeministri Edi Rama “një lajm i shumëpritur” dhe “frut i 3 viteve reforma”.
Pas publikimit të progres raportit për Shqipërinë, nga Komisioneri Johannes Hahn, kreu i Ekzekutivit, komentoi këtë vendim të KE-së ndaj procesit integrues të vendit.
“Vjen Lajmi i shumëpritur nga Komisioni EU: Rekomandim Pozitiv për hapjen e negociatave. Fruti më i bukur i 3 vjetëve beteja për Reformat”, deklaroi kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Rekomandimi i KE-së, pa kushte; premisa e vetme zbatimi i Vettingut”
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin i dorëzoi të mërkurën kryeministrit Edi Rama Progres raportin e KE-së për Shqipërinë, për vitin 2016.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri tha se Shqipëria sot e ka marrë rekomandimin për çeljen pa kushte të negociatave, dhe deri në fillimin e punës në tryezat e negocimit do të vijojë puna për zbatimin e reformës në drejtësi dhe sidomos të ligjit të Vettingut.
“E vetmja pikë si premisë për të shkuar në këtë tryezë është ecuria në zbatimin e reformës në drejtësi, dhe konkretisht ligjit të Vettingut”, u shpreh kryeministri.
“Kjo premisë është kushti që kjo qeveri i ka vënë vetes në rrugën drejt Shqipërisë europiane, një rrugë e zgjedhur nga vetë shqiptarët 26 vjet më parë dhe që nuk na e ka diktuar askush, tha Rama. Ne do t’Ã bëjmë të gjitha reformat në BE, jo se na i dikton Brukseli, por se ua kemi borxh fëmijëve tanë. E nënvizoj këtë fakt, pasi kam bindjen e patundur se shteti modern i shqiptarëve mund të ndërtohet vetëm duke ndjekur rrugën e integrimit në BE”, theksoi kryeministri.
“Tre vjet më parë, kur erdhëm në qeveri, Shqipëria ishte një vend i refuzuar për tre vite rresht në përpjekjet për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Por, axhenda reformiste e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane i hapi rrugën vendit tone në marrjen e statusit të kandidatit dhe sot, pas dy vjetësh përpjekjesh të mëdha dhe bindëse, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e KE-së për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Tre vjet më parë, kjo arritje kaq domethënëse në procesin e integrimit dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë, por beteja jonë e palodhur, e përditshme për të çuar përpara reformat rrënjësore të renda u vlerësua kaq pozitivisht nga KE, duke na celur dritën jeshile për çeljen e negociatave”, nënvizoi Rama.
Vlahutin: Reforma në drejtësi, impakt në procesin integrues
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin theksoi se Shqipëria e meritoi rekomandimin e kushtëzuar për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Vlahutin theksoi se ” Komisioni Evropian ka arritur në vlerësimin që Shqipëria ka treguar progres apo ecuri të vazhdueshme, të qëndrueshme që e meriton këtë rekomandim, por që ka dy gjëra të rëndësishme që nuk duhet të harrojë”.
“Së pari kjo varet nga zbatimi i mëtejshëm i paketës së reformës në drejtësi, e në veçanti Ligji i Vettingut dhe së dyti nuk duhet të lëmë mënjanë 5 prioritetet kyçe të cilat vazhdojnë të mbeten në fokusin e punës sonë të përbashkët. Shqipëria me rekomandimin për çeljen e negociatave ka arritur një gur të rëndësishëm kilometrik dhe e gjithë puna dhe përkushtimi që pamë për paketën e reformës së drejtësisë ishte një lëvizje vendimtare dhe guximtare”, nënvizoi ajo.
Gjithashtu, diplomatja e BE-së tha se “kemi parë progres në thuajse 95% të çështjeve. Nuk kemi pasur hapa pas në asnjë prej kapitujve. Treguesit ekonomikë po ashtu janë të mirë, tregu financiar është i prekshëm”.
“Treguesit ekonomikë janë të mirë ka pasur rritje edhe përmirësime në tregun e punës dhe tregu financiar është i qëndrueshëm. Ne besojmë se rezultatet e prekshme të zbatimit të Reformës në Drejtësi do të kenë një ndikim pozitiv për mjedisin e biznesit, ky është lajm i mirë “, shtoi Vlahutin.
Sipas saj, thelbi i çështjes është sundimi i ligjit.
“Duhet të ketë përpjekje shtesë kundër krimit të organizuar , korrupsionit dhe sidomos në ndjekjen penale dhe dënimet për rastet e nivelit të lartë ku përfshihet edhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ku pritet të ketë një verim parandalues më të plotë”, deklaroi ajo.
Ndaje me miqte