Rama shkarkon ministrin e drejtësisë Ylli Manjani e zëvendëson Petrit Vasili
TRIBUNA
30 Janar 2017
Kryeministri Edi Rama ka firmosur të hënën shkarkimin e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. Lëvizja e zotit Rama vjen pas një situate të tensionuar në gjirin e koalicionit qeverisës gjatë fundjavës, për shkak të disa deklaratave të forta të përfaqësuesve të LSI-së kundër punës së qeverisë apo eksponentëve lokal socialistë.
Vetë zoti Manjani disa herë me radhë ka bërë deklarata që kanë qenë në linjë të kundërt me atë të qeverisë. Që ka pakënaqësitë për mënyrën se si u çua përpara procesi i Reformës në Drejtësi, apo dhe deklaratat e tij për fenomenin e kultivimit të marijuanës dhe së fundmi për çështjen Balili ku ai thuajse drejtpërdretë drejtoi gishtin ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për mosarrestimin e një prej personazheve, i konsideruar si drejtues i një organizate të fuqishme të narkotrafikut.
Gjatë ditës së hënë Kryeministri u takua fillimisht me kryetarin e parlamentit, njëkohësisht dhe kryetar I LSI-së, Ilir Meta. Më pas ky i fundit thirri në zyrën e tij kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ministrin e Transporteve, Sokol Dervishaj dhe atë të Integrimit, Klajda Gjosha.
Në vend të tij në ministrinë e Dretësisë është propozuar Petrit Vasili, një nga figurat drejtuese të Lëvizjes socialiste për Integrim, ndërsa zyrtarisht nuk është dhënë asnjë motiv për këtë lëvizje.
Zoti Manjani, u emërua në fund të vitit 2015. Ai është ministri i tretë i LSI-së që largohet nga qeveria, pas ish ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe më pas të ish ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto.
Ndaje me miqte