Rama shkarkon ministrin e financave Shkëlqim Cani. Zëvendësohet nga Ahmetaj i diplomuar për sigurinë energjitike
16 Shkurt 2016
Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar të martën ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga Kryeministria, Rama i shprehu Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati.
Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave.
Ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Detyrën e Ministrit të Financave, Kryeministri do t’ia besojë Z. Arben Ahmetaj, ndërsa detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do t’ia besojë Znj. Milva Ekonomi.
Kush janë dy ministrat e rinj
Arben Ahmetaj deri më sot ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Sipas CV-së së publikuar në faqen e Kryeministrisë, Ahmetaj ka lindur më 28 qershor të vitit 1969, në qytetin e Gjirokastrës. Ai është i martuar me znj. Albina Mançka, dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi.
Z. Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fus¬hën e Sigurisë Energjitike, Siguri Ndërkombëtare, prej Universitetit të Bukureshtit (2005-2009). Ai është diplomuar prej Universitetit të Tiranës për Gjuhë Angleze, i Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze në vitin 1991. Ka kryer në vitin 1996, Master për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Patterson, Universi¬teti i Kentucky, SHBA.
Z. Arben Ahmetaj është Anëtar i Parlamentit Shqip¬tar, i zgjedhur në Legjislaturën XVIII-XIX, Qarku Korçë - Gjirokastër. Eshtë pjesë e Grupit Parlam¬entar të Partisë Socialiste dhe anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Në karrierën e tij të mëparshme ka mbajtur rolin e Zëvendësministrit në Minis¬trinë e Integrimit Evropian, (2004-2005) dhe rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, (2003-2004).
Ka kryer Funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Tatimeve të Shqipërisë dhe ka qënë përg¬jegjës për hartimin e politikave të reja dhe të legjisla¬cionit të ri (Kodi i ri Fiskal, akcizat dhe legjislacioni i ri për taksën e drejtpërdrejtë). Në vitet 1992-1993, ka kryer funksionin e Këshilltarit të Ministrit të Finan¬cave si dhe asistent i thesarit të SHBA.
Gjithashtu z. Ahmetaj ka marrë pjesë dhe ka kryer projekte studimi me Universitetin e Georgetown, Ed¬mund Walsh School of Foreign Service, Uashington, SHBA, Universiteti Harvard, Menaxhimin e Konf¬likteve në Kohën e Teknologjisë së Informacionit (Athinë). Ai është autor i një sërë punimesh shken¬core.
Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze, italiane, greke, si dhe është njohës i gjuhës ruse.
Milva Ekonomi
Zonja Milva Ekonomi, deri tani zëvendësministre e Shëndetësisë, ka lindur në Tiranë në vitin 1962 dhe është nënë e dy vajzave.
Ka kryer studimet e larta në Statistikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Bujqësisë, dhe një Master në Administrim Biznesi ( MBA ) nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer gjithashtu edhe formime të avancuara në fushën e statistikave ekonomike dhe sociale si dhe të manaxhimit në Byrone e Statistikave të Punës (SHBA), Eurostat (Luxemburg), Istat (Itali).
Ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave të Shqipërisë gjatë periudhës 1994-2005 duke kryer një sërë detyrash që lidheshin me ngritjen dhe institucionalizimin e statistikave zyrtare në vend.
Ka kryesuar Komisionin Kombëtar të Nomenklaturave dhe ka qenë për dy mandate anëtare e Byrosë së Konferencës së Staticienëve Evropianë KEE/OKB. Në vitin 2006 ajo zgjidhet anëtare e panelit të ekspertëve të projektit “PARIS 21” (OECD), ku punon mbi lidhjen e statistikave zyrtare me të drejtat e njeriut. Punon në këtë projekt deri në fund të dhjetorit 2007.
Më pas ajo u përfshi si ekspert kyç në Agjencinë Evropiane për Rindërtim (EAR) në Kosovë, në projektin mbi Mbështetjen në Sistemin Statistikor dhe Përgatitjen e Rregjistrimit të Popullsisë në Kosovë 2007 - 2008.
Dha kontributin e saj si Këshilltar Afatgjatë i Statistikave Suedeze (Sida) në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku punoi gjatë viteve 2008 - 2013, në hartimin e legjislacionit statistikor dhe ndërtimin e Programit Zyrtar të Statistikave Kombëtare. Ajo gjithashtu ka punuar në projekte të ndryshme me Agjencitë e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si Eurostat, ILO, UNODC, World Bank, Dfid, dhe FMN.
Ajo është anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Statistikave (ISI) dhe Shoqatës Staticienëve të Ballkanit.
Ajo është një nga themeluesit e Institutit Agenda, një qendër kërkimesh ekononomike dhe sociale e themeluar në qershor të vitit 2006 në Tiranë.
Përgjate viteve ajo ka dhënë kontributin e saj në lëvizjen e gruas në Shqipëri duke qënë aktiviste në shumë nisma, por gjithashtu edhe në aksione të shoqërise civile. Ajo ka shërbyer edhe si anëtare e Këshillit Bashiak të Tiranës për periudhën 2000-2011.
Ka qenë lektore në Universitetin e Tiranës, Universitetit Bujqësor si dhe në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.
Ajo ka shkruar disa botime ne nivel kombëtar dhe ndërkombëtare në fushën e statistikave, zhvillimit social dhe ekonomik, si dhe të përkatësisë gjinore. Zotëron shumë mirë gjuhën Angleze dhe Italiane si dhe njeh gjuhën Franceze.
Tribuna (me informacione nga ATSH).
Ndaje me miqte