Rama u vërsulet gazetarëve: &ldquoShqipëria e ka infektuar Kosovën me virusin e kulturës së linçimit
ATSH
30 Tetor 2016
Komunikimi i përjavshëm i kryeministrit Rama në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” u fokusua në debatin televiziv në “Klan Kosova” dhe reagimet që shkaktoi.
Të enjtën Klan Kosova transmetoi bashkëbisedimin e Kryeministrit Rama me gjashtë gazetarë të Prishtinës, i ftuar nga Baton Haxhiu në studion e tij të debatit, i cili u transmetua live edhe në faqen e tij të “facebook”-ut.
Sipas Ramës, ky bashkëbisedim kishte një audiencë krejt të pazakonshme, dhe numrin më të madh të komenteve ndonjëherë për postimet e tij, shumë më tepër sesa fitorja e zgjedhjeve tre vjet më parë apo për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri.
“Një kryengritje e vërtetë dixhitale e fokusuar kundër gjashtë analisteve, që për hir të së vërtetës, nuk është se bënë më shumë a më pak, se çfarë bën zakonisht kjo kategori në kësi rastesh. Madje, ata ishin shumë më të mirësjellshëm sesa kolegë të tyre në Tiranë, personazhe të paarritshëm në vrazhdësinë e komunikimit dhe kollajllëkun me të cilin marrin përsipër të debatojnë, për gjera që as nuk i dinë dhe as marrin mundimin të përgatiten përpara se sa të hyjnë në një studio”, u shpreh Rama.
Ai lumë i rrëmbyeshëm e i pambarimtë komentesh, argumentoi kryeministri Rama, nxorri në pah më së miri të vërtetën se shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës jo vetëm nga politikanët që nuk i përfaqësojnë, qoftë në Shqipëri a në Kosovë, po edhe nga analistët të cilët përfaqësojnë vetëm mikrobotën e tyre të mllefeve, padijes, thashethemeve, klikimeve e qëndrimeve krejt sipërfaqësore mbi problemet e sfidat reale të shoqërisë sonë.
“Shqipëria i ka bërë dy dëme të mëdha Kosovës. E ka infektuar politikën dhe Kuvendin e saj me virusin e gjuhës së akuzave ekstreme, ku fjala kriminel thuhet më shpesh se sa fjala zotëri apo zonjë, në komunikimin e ndërsjellë? e ka infektuar edhe skenën mediatike të studiove e të portaleve, me virusin e kulturës së linçimit me çdo kusht të përfaqësuesve politike, ku çdo mjet justifikon qëllimin! Të dyja bashkë, edhe shfrenimi gjuhësor ndaj kundërshtarit kriminel, hajdut e tradhëtar, edhe linçimi non stop, pa dallim, i kujtdo që meqë merret me politikë është për definicion kriminel apo i korruptuar dhe për çdo gjë që ndodh, janë reflekse të kushtëzuara nga kultura e vjetër komuniste, për të cilën kundërshtari është medoemos armiku që duhet eliminuar dhe nuk ka pikë rëndësie ajo që bëhet apo thuhet. Po e vetmja gjë që ka rëndësi është se kush është ai që e bën apo e thote!”, u shpreh Kryeministri.
Në këto kushte, theksoi Kryeministri, populli, opinioni publik, ka mbetur pa ndërmjetësues në mjedisin e debatit politik apo shoqëror, sepse, vijoi ai, pjesa dërrmuese e mediave dhe analistëve e portalistëve, janë kthyer në një parti politike që as votohet, as i jep llogari ndonjë votuesi.
Një parti, që sipas Ramës, informimi i publikut, kërkesa e llogarisë ndaj politikës e partive te vërteta politike, hedhja e dritës mbi faktet e mbi shifrat apo oponenca e argumentuar ndaj vendimmarrjes e vendimmarrësve, janë qëllime të dorës së fundit.
Madje, kryeministri i quajti edhe një parti që financohet kryesisht me gjoba të paligjshme apo me shërbime të padeklaruara ndaj të tretëve të interesuar për të nxitur linçimin e kundërshtarëve të tyre në politikë a në biznes ku s’ka asnjë ndershmëri në qendrim.
Por shtoi Rama, do të ishte krejt e pavërtetë të thuhej se të gjitha mediat, të gjithë analistët e çdo botues, portal e gazetar, është pjesë e kësaj partie. “Lajmi i mirë është se raporti i popullit, opinionit publik, me këtë parti që ka korruptuar esencën e misionit të medias, ka hyrë në një krizë të thellë”, tha Rama, Ai shtoi se kohës së njehsimit të shpifjes me të vërtetën, të mashtrimit të publikut me tituj e me lajme të përgatitura për të luftuar me dikë për llogari të dikujt tjetër e për të vënë gjoba në emër të lirisë së fjalës, po i vjen fundi.
*) Titulli: Nga Tribuna
Ndaje me miqte