0030 210 33 18 483

Raporti i ekspertizës mbi përmbytjet vrastare në Mandra

Tribuna 28 Dhjetor 2017

Inspektoriati i Përgjithshëm i Administratës Publike ka përfunduar ekspertizën për përmbytjet në Mandra të Atikës në mesin e nëntorit, që shkaktuan katastrofa të pashembullta dhe vdekjen e 24 njerëzve. Raporti, që publikohet nga gazeta “Efimerida ton Syntakton”, vë në dukje se ishte vërtet një fenomen natyror ekstrem, por nga ana tjetër ishin të shumta neglizhencat e aparatit shtetëror dhe të autoriteteve kompetente që bënë të pamundur parandalimin e një tragjedie me përmasa të tilla. Inspektorët konstatuan se reshjet e shiut ishin me të vërtetë të rrëmbyeshme dhe se sa u përket dëmeve në qytezën e Mandras luajti rol vendimtar prurja e njëkohshme e ujërave të përrenjve Sures dhe Agia Ekaterinis. Mirëpo, paralelisht, u dëshmuan përgjegjësitë e shërbimeve publike, sa në drejtim të vonesave për finalizimin e veprave kundër përmbytjeve, aq edhe në mbylljen e njerit prej dy përrenjve, me ndërtimin e paligjshëm të parkut automobilistik të Mandras. Konkluzioni i inspektorëve është veçanërisht i ashpër ndaj shërbimit pyjor të Egaleos lidhur me projektin për devijimin e Agia Ekaterinit. E nxjerr përgjegjës për “kapjen pas çështjeve formale dhe jo thelbit”, si dhe për “vlerësimin e gabuar të prioriteteve dhe rëndësisë si dhe emergjencës së tenderimit të veprës”, gjë që sipas mendimit të inspektorëve ishte e domosdoshme për mbrojtjen e zonës nga përmbytjet dhe që “do të përballonte me efikasitet pasojat negative në Mandra të një fenomeni përmbytjesh, si ai që ndodhi më 15 nëntor 2017”. Gjithashtu, inspektorët u referohen ndërtimeve voluminoze (që ishin dhe pa leje), të cilat u bënë pengesë për rrjedhën normale të ujërave. Dhe këtu, përsëri sjellin shembullin e parkut automobilistik të Mandras, që siç vihet në dukje në raport, “ishte një ndërhyrje e rëndësishme njerëzore në shtratin e përroit Sures. Raporti vë në dukje se parku, brenda të cilit kalon përroi, nuk kishte as leje ndërtimi.

Ndaje me miqte