0030 210 33 18 483

Reagime në Athinë për referendumin e Turqisë

Tribuna 19 Prill 2017

Qeveria dhe partitë politike në Greqi kanë reaguar me skepticizëm për rezultatet e referendumit në Turqinë fqinje. Qeveria greke është shprehur se respekton vendimet e popullit turk për të ardhmen e tij. Duke theksuar se Athina mbështet stabilitetin dhe demokracinë në vendin fqinj, komenti i qeverisë greke dërgon edhe një mesazh ndaj Ankarasë: “Dëshirojmë një Turqi që të ndihmojë dialogun dhe bashkëpunimin tonë, mbi bazën e respektit reciprok”, thuhet në komentin që u atribuohet burimeve qeveritare dhe u transmetua nga agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA. Në të njëjtën linjë, ka komentuar edhe shefi i departamentit të çështjeve të jashtme të partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re. “Greqia synon marrëdhënie miqësie dhe bashkëpunimi me vendin fqinj”, “pavarësisht ndryshimeve kushtetuese në Turqi”, ka deklaruar ministri i jashtëm në hije, Jorgos Kumucakos. Ndërkaq, media greke që i ka kushtuar një vend mjaft të gjerë zhvillimeve të fundit në Turqi, konstaton se rezultati i referendumit e gjen Turqinë “thellësisht të përçarë”. Analistët grekë vlerësojnë se ky fakt, pra përçarja e vendit, pritet të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet greko-turke, pasoja që për momentin nuk mund të parashikohen e saktësohen, siç nënvizojnë mediat. Greqia dhe Turqia kanë një histori të gjatë rivaliteti ndërmjet tyre, që jo rrallë ka prodhuar edhe tensione të rrezikshme. Kjo është dhe arsyeja që zhvillimet madhore politike në të dy vendet ndiqen me mjaft vëmendje nga opinionet publike respektive.

Ndaje me miqte