Reagime për deklaratën e Bashës: &ldquoJep menjëherë dorëheqjen&rdquo
Tribuna
28 Qershor 2017
Deklarata e kreut demokrat Lulzim Basha për ngrirjen e funksioneve të tij në parti, u pasua nga reagime të ashpra prej disa emrave të njohur të PD-së, duke i mëshuar faktit se vendimi i tij për “ngrirje të funksioneve” nuk ka asnjë bazë statutore. Majlinda Bregu e cila ka kritikuar dhe më parë qëndrimet e mbajtura nga zoti Basha, arsye për të cilat shumë besojnë se u bënë shkas për lënien e saj jashtë listës së kandidatëve për këto zgjedhje shkruan në rrjetet sociale se “"Ngrirja" nuk eshte as akt juridik as statutuor dhe as politik!”. Sipas saj ai “sot duhet t' i dilte për Zot, Dorëheqjes së tij si përgjegjësi i vetëm për katastrofën e pamerituar në të cilën gjendet sot PD! Si përgjegjësi i vetëm për shkatërrimin e strukturave dhe mospërfilljen e forumeve vendimmarrëse të PD! Por prej sot,duhet t'i dalë për Zot dhe akuzave plot dramacitet infantil për kurthe e armiq klase!”, shkruan zonja Bregu.
Me tone më të ashpra është shprehur zonja Jozefina Topalli e cila së bashku me zotin Arben Imami, menjëherë pas shpalljes së listave të kandidatëve, kërkuan shkarkimin e kryetarit të partisë. “Në një situatë si kjo, kur Lulzim Basha nuk pranon të marre as përgjegjësinë që i takon, siç ndodh në çdo vend të botës perëndimore, (pasi e çoi buzë greminës PD-ën), reagimi i tij është hileqar, tallje, tinezi, banalitet dhe papërgjegjshmëri e frikshme që mund të çojë në asgjësimin total të PD-ës.
Në këto kushte - vijon zonja Topalli - nëse Basha nuk jep dorëheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike , me synim kthimin e PD-se demokratëve”, thekson zonja Topalli.
E njejta thirrje vjen dhe nga deputeti Genc Ruli, i cili deklaroi tërheqjen e tij nga rikandidimi për deputet, pak përpara se zoti Basha të shpallte listën e tij. Zoti Ruli e akuzon kryetarin e partisë se ka shmangur strukturat e partisë duke I zëvendësuar ato ma familjarët e tij. “Ky sot duhej vetë të deklaronte largimin pa asnjë kusht nga drejtimi i partisë që e çoi në greminë. Ju them atyre që ende e duan PD-n e jo që ende ju duhet PD-ja , në qoftë se ai nuk jep dorëheqjen vetë deri nesër, shkoni te selia e PD e përzëreni atë, gruan e kunatin, siç përzuri Jezusi tregtaret nga Tempulli”, shkruan zoti Ruli.
Ndaje me miqte