Reforma Basha shpall arritjen e konsensusit Rama përshëndet
TRIBUNA
20 Korrik 2016
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha bëri të ditur të mërkuren, se pas komunikimeve më të fundit me partnerët ndërkombëtarë, të rakorduara përmes Komisionerit Johannes Hahn, është rënë dakord që roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit(ONM) do të jetë një rol rekomandues dhe vendimmarrja mbetet tërësisht në duart e institucioneve shqiptare.
Kjo, tha Basha, do të mishërohet në Kushtetutën e Shqipërisë, me një dispozitë tranzitore.
Sipas kreut te PD-se, kjo nuk do të përjashtojë asnjë qytetar shqiptar nga konkurimi, mbi bazën e hamendësimeve dhe opsioneve, por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave, sipas ligjit.
Kryetari i opozites, në deklaratën për shtyp nga selia e PD-së, pas shumë ditë negociatash, njoftoi finalizimin e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjeve të padakortësuara deri tani për reformën në drejtësi, ajo që lidhet me rolin që do i caktohet në Kushtetutë ONM-së, gjatë procesit të seleksionimit të kandidatëve për vetingun dhe të anëtarëve jogjyqtarë të reformës në drejtësi.
Konkludimi në këtë mënyrë i këtyre dy çështjeve, të lëna si litar jashtë, për fatin e keq të negociatave te se henes, është edhe konkludimi me sukses i betejës së PD-së për një draft kushtetues, në përputhje me Komisionin e Venecias dhe bazuar mbi propozimin e znj. Nuland, tha Basha.
Nesër PD është e gatshme që të bashkojë votat për draftin kushtetues me dy çështjet e zgjidhura sipas dakortësisë së arritur.
Kjo betejë e fundit e opozites, sipas tij, ka patur dy qëllime: të mbrojë kushtetuetshmërinë, parimin e shenjtë se askush nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie, si dhe te mbroje të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, qe jane ADN-ja e PD-se dhe motivi i të gjitha qëndrimeve të saj politike.
Rama: Moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, i hapet rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë
Kryeminstri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “Ky është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi”.
“Tanimë e kanë marrë lajmin se PD i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekur të partnerëve tanë strategjikë që bashkë me shqiptarët çojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revoluxionit në sistemin e drejtësisë: Përmbysjen përfundimtare të kastës së inkriminuarve që mbajnë peng drejtësinë në këtë vend”. tha shefi i qeverise.
Kryeministri ndau me me publikun edhe letrën e Komisionerit Hahn dërguar Kryeministrit Edi Rama, Kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe Kreut të PD, Lulzim Basha.
“Kënaqësi që ndaj me ju tekstin e mesazhit që unë, Kreu i Kuvendit dhe Kreu i Opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet Komisionerit Johannes Hahn, tha Rama , duke cituar letrën, “ dashur Kryeministër, I dashur Kryeparlamentar, I dashur kryetar i Partisë Demokratike, Në vijim të bisedave të mia telefonike dje dhe sot, me të tre ju, unë dua të ritheksoj pikat e mëposhtëme të të quajturit “propozim hibrid”, të cilat i keni mbi tavolinë. Këto pika janë vijat e kuqe të komunitetit ndërkombëtar, ashtu siç i kemi nënvizuar në vazhdimësi përgjatë gjithë procesit.
E para, roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ONM duhet të ketë një bazë të ligjshme solide brenda Kushtetutës. E dyta, unë rikonfirmoj, se siç e kemi bërë të qartë në të gjitha diskutimet, ONM-ja do të japë rekomandime të cilat nuk janë ligjërisht detyruese. Në çdo rast, këto rekomandime do të përmbajnë për çdo qëndrim të mbajtur, një arsyetim shpjegues bazuar mbi kriteret e përcaktuara nga legjislacioni. Unë besoj që mund të vijojmë më tutje mbi këtë bazë. Siç diskutuam, ju lutem konfirmojeni këtë duke i’u përgjigjur shpejt këtij mesazhi, në mënyrë që votimi në Kuvend të bëhet nesër.”.
Pra, theksoi Rama, vijat e kuqe janë aty, do të mbeten aty, pa lëvizur me votimin unanim të votimit në Kuvend. Me vijat e kuqe kjo reformë ka përcaktuar vija mbrojtëse nga çdo përpjkje kundër revolucionit me çdo mjet poltik apo financiar”.
“Me këtë dua ti them edhe atyre që shpallën momentin e fitores: Vija e kuqe e ndërkombëtarëve që ishin aty, janë aty dhe do mbeten aty dhe me votimin e nesërm. Si piktor më vjen shumë mirë që vijat e kuqe mbeten vijat e kuqe”, u shpreh Rama.
“Jam i gëzuar që PD u bë pjesë e kësaj fitoreje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. E dyta jam shumë i gëzuar që përjekja delirante për t’i shpallur luftë SHBA dhe BE rezultoi flluskë sapuni. E treta duhet të ndaj me ju faktin që ky është drafti i reformës Kushtetuese. Me këtë draft nuk lëviz asgjë sa i taaon dy çështjeve që mbajtën peng këtë proces. Përfshirjes së Operacionti Ndërkombëtar në Kushtetutë dhe rolit të Operacionit Ndërkombëtar në procesin e vetingut”, tha Rama.
Ndaje me miqte