Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota pro
TRIBUNA
22 Korrik 2016
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 140 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datës 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, së ndryshuar.
Forcat politike arritën në orët e pasdites së të enjtes një marrëveshje mbi emërimet e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pas orësh të gjata bisedimesh mes palëve, të zhvilluara me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Donald Lu dhe kreut të Delegacionit Europian Romana Vlahutin, me këmbënguljen e kryetarit të parlamentit Ilir Meta, u arrit në një formulë të re për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Në orë 23,25 nisi seanca e shumëpritur. Në sallë ishin 140 deputetë të zgjedhur, të cilët ishin thirrur të miratonin unanimisht reformën historike në drejtësi.
Para votimit në foltorën e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama e quajti fundin e një odiseje të gjatë miratimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese. Rama kërkoi të siguronte shqiptarët se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do të fshihen nga vetingu.
Kreu demokrat Lulzim Basha tha pas votimit, jashtë kuvendit se opozita vuri një gur themeli për një aleat të fuqishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Kuvendi miratoi rreth një vit më parë ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, i cili pas shumë debatesh e përplasjesh mes palëve dhe negociatash ku u përfshinë përveç ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS edhe ambasadori i SHBA-së, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin arriti të sjellë në Parlament draftin e miratuar unanimisht vetëm pak para mesnatës së 21 korrikut.
Ndaje me miqte