0030 210 33 18 483

Refugjatët 2.500 dollarë për të kaluar në Shqipëri

25 Shkurt 2016

Me ritme të pandalshme zbarkojnë në portin e Pireut refugjatët dhe emigrantët që mbërrijnë çdo ditë nga Turqia në ishujt grekë të detit Egje. Mëngjesin e së dielës në portin më të madh të vendi mbërritën 1.350 refugjatë, ndërsa 1.800 të tjerë po presin tragetin në ishullin Lesvos. Menjëherë pas mbërritjes në Pire, ata strehohen në mjediset e portit që shërbejnë si pika të përkohshme pritjeje. Policia ka njoftuar se gjatë ditës së enjte nuk do të ketë autobusa për t’i çuar ata drejt kufirit me Maqedoninë, për shkak të grumbullimit të madh të emigrantëve dhe refugjatëve, pas masave që morën ditët e fundit autoritetet e Shkupit. Në kushtet e mbylljes së rrugëve të ligjshme, refugjatët bien preh i trafikantëve të ndryshëm. Sipas televizionit Mega Channel, trafikantët u kërkojnë nga 2.500 dollarë për person, me qëllim që t’i kalojnë nga Shqipëria, me destinacion përfundimtar Gjermaninë. Situata në ditët e ardhshme parashikohet të bëhet edhe më e rëndë, pas vendimit të marrë në takimin e Vjenës, që vendet e itinerarit ballkanik të kufizojnë numrin e refugjatëve që do të kalojnë nga territori i tyre. Organizata Mjekët pa Kufij paralajmëroi se po të vazhdojë kjo situatë, atëherë i gijthë sistemi grek i menaxhimit të krizës së refugjatëve do të ketë vetëm 8 ditë jetë dhe më pas do të marrë fund. Athina reagoi mjaft ashpër ndaj iniciativës austriake dhe vendimeve të marra nga Austria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Aleksis Tsipras nënvizoi faktin se takimi i Vjenës u mnbajt vetëm pak ditë pas samitit të BE-së të 18-19 shkurtit. “Eshtë turp që vendimet që morën kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së të nëpërkëmben nga disa gjoja konferenca”, theksoi Tsipras. Kryeministri grek kërcënoi se Athina do të mund të bllokojë marrëveshjet e ardhshme në BE. Greqia “nuk ka për të dhënë konsensusin e vet për marrëveshjet eventuale, nëse nuk sanksionohet detyrimi për shpërndarjen e barrës së refugjatëve ndërmjet vendeve anëtare”, theksoi kryeministri grek. Por edhe ministri i emigracionit, Janis Muzalas, paralajmëroi se edhe Greqia mund të ndërmarrë veprime të njëanshme. Muzalas theksoi që vendi i tij nuk ka për t’i mbajtur gjithë emigrantët dhe refugjatët, edhe në këmbim të një pakete të madhe financiare. “Greqia nuk do të pranojë të shndërrohet në një Liban të Europës, edhe nëse kjo merr trajtën e një financimi të madh”, theksoi ministri grek i emigracionit, nga Brukseli ku ndodhet për ministeralin e sotëm të punëve të brendshme. Tribuna

Ndaje me miqte