Refuzohet kërkesa për azil e tre prej ushtarakëve turq. Tsipras takohet me Erdogan
TRIBUNA
22 Shtator 2016
Tre prej ushtarakëve turq që u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti, në muajin korrik, kanë marrë përgjigje negative në kërkesën e tyre për të marrë azil.
Por autoritetet greke deklarojnë se refuzimi nuk do të thotë se ata do të deportohen në Turqi.
Ata kanë të drejtë të apelojnë ndaj vendimit të autoriteteve, një procedurë që në Greqi zgjat me muaj.
Paraditen e 16 korrikut, 8 ushtarakë turq u futën në hapësirën ajrore greke me një helikopter ushtarak dhe pasi u ulën, kërkuan azil politik. Ishte vetëm pak orë pas dështimit të tentativës për grusht shteti në Turqi.
Të tetë ata thanë e ishin duke transportuar të plagosur kur helikopteri u godit nga policia e Stambollit. Ata e ndjenë veten të rrezikuar dhe prandaj vendosën të largoheshin nga Turqia.
Qeveria turke ka kërkuar me ngulm që ata të tetë të kthehen në Turqi, me qëllim që të gjykohen si pjesëmarrës në tentativën për grusht shteti. Por në një intervistë për gazetën britanike The Times, ata thanë se po përndiqen për shkak të bindjeve të tyre politike dhe përsërisin kërkesën që mos të kthehen në Turqi. “E dimë se çfarë na pret. E dimë se ç’po ndodh në Turqi. Do të na torturojnë”, citohet nga The Times të ketë thënë njeri prej tyre.
Tema e tetë ushtarakëve turq është diskutuar kalimthi edhe në takimin që patën të mërkurën në mbrëmje në Nju Jork, presidenti turk Recep Taypp Erdogan dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras. Ky i fundit, ka thënë se kjo çështje po trajtohet në bazë të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare. Por Tsipras ka shtuar se kushdo që implikohet në grushte shteti, nuk është i mirëpritur në Greqi. Një deklaratë kjo që ka krijuar shkas për interpretime të ndryshme në Greqi.
Gjithsesi, Aleksis Tsipras ka shprehur mbështetjen e plotë të Athinës ndaj Ankarasë dhe personalisht presidentit Erdogan. Duke folur mbi tentativën e dështuar për grusht shteti, Tsipras tha se ishte një peripeci e vështirë për Turqinë.
“Ne që nga momenti i parë morëm një pozicion të qartë. Shprehëm solidaritetin tonë ndaj popullit turk dhe qeverisë së zgjedhur me votë të Turqisë”, deklaroi Tsipras.
Ndaje me miqte