0030 210 33 18 483

Regjisori Armand Bora sjell &ldquoAta hyjnë pa trokitur&rdquo në skenën teatrore të Athinës

09 Prill 2016

Javën e ardhshme në Athinë do të zhvillohet një ngjarje e rëndësishme për artin shqiptar të skenës: Në teatrin “Athinaiki Skini” do të shfaqet komedia dramatike “Ata hyjnë pa trokitur”, një vepër tepër e sukseshme që mban firmën e regjisorit të njohur Armand Bora. Në intepretimin e aktorëve të njohur të teatrit, Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani, pjesa teatrale do të ketë dy shfaqje: më 14 dhe 15 prill 2016 në Athinë dhe të shtunën 16 prill, në sallën e teatrit “Politistiko Kittaro”, në ishullin e afërt me kryeqytetin, Salamina. Shfaqjet janë të inkuadruara në Festivalin e Parë të Teatrit Ballkanik, një iniciativë e shkrimtarit e regjisorit të njohur grek dhe njëkohësisht mik i vyer i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Dinos Kubatis, i cili drejton Organizatën Ndërkombëtare Kulturore “Kafeneja e Ideve”. Në të gjitha shfaqjet hyra është falas. Për gjithë të interesuarit, që shpresojmë të jenë të shumtë, teatri “Athinaiki Skini” ndodhet në dalje të stacionit të metrosë Akropolis, në rrugën Tzireon 13. Shfaqjet fillojnë: më 14 prill, ora 21,00; në 15 prill ora 18,30 Të Shtunën 16 Prill në Salamina, ora 21,00 në sallën e teatrit “Politistiko Kittaro” Tel.: 6998992806 & 210.4681842. Dy fjalë për shfaqjen Sipas kritikut të njohur të artit, Mexhit Prençi, “komedia dramatike e Armand Borës “Ata hyjnë pa trokitur“, sipas meje, është ndër veprat më me vlera të dramaturgjisë sonë në këto dy dekada, me elementë të realistes e surealistes, të absurdes dhe ekzistenciales. Një vepër moderne me frymë brehtiane. Autori me gjuhën e artit i bën skanerin diktaturës enveriste në “organin” më të dhunshëm e kriminal, - sigurimi i shtetit, - arma vrasëse e lirisë së individit dhe shoqërisë. Mbështetur në një ngjarje reale, autori krijon një komedi dramatike ku çifti Burrë-Grua presin nga çasti në çast t’i internojnë apo burgosin. Mënyra si e ka shestuar, formësuar dhe trajtuar dramën e tyre duke aplikuar komiken e dramatiken, groteskun dhe realisten, ironinë dhe satirën është e mrekullueshme. Autori jep me art të klasit të parë dhunën, trysnitë psikologjike dhe torturat shpirtërore të dy personazheve dhe në të njëjtën kohë fshikullon, stigmatizon, satirizon dhe ironizon: “Ata hyjnë pa trokitur”. Vetë autori thotë se spunton për këtë vepër e ka marrë nga një bisedë me regjisaorin e madh shqiptar, Pirro Mani: “Ishte një fjali e thjeshtë e profesorit tim Pirro Mani, që më thoshte shpesh: ‘I kam bërë gati disa herë valixhet pas premierave të mia, duke menduar që do vinin të më arrestonin’. Kjo ka qenë, kaq mjaftonte, pastaj është pasuruar vepra, ka mbresa nga bisedat e shpeshta që kam pasur me Visar Zhitin apo Maks Velon, personazhe të tjerë, familjarë të mi”, shprehet regjisori Bora. Për Armand Borën, “Ata hyjnë pa trokitur” është një vepër që e ruan të fuqishëm aktualitetin e vet. “Eshtë një vepër e angazhuar, nuk është vetëm e kufizuar tek një diktaturë që ne kemi jetuar, por një akuzë ndaj çdo lloj diktati, situate ku dhunohen apo kufizohen të drejtat dhe liritë e individit”, ka deklaruar Bora në një intervistë për gazetën “Sot” dhe ka shtuar: “Nuk besoj se liria fitohet me një pluralizëm, ne duhet të fitojmë lirinë e të menduarit. Ne vazhdojmë akoma të kemi frikë të mendojmë dhe pastaj të flasim dhe të bëjmë, sepse ka penalizime. E gjithë historia e Shqipërisë ndaj këtyre viteve ka treguar se njerëzit që mendojnë ndryshe nga masa janë penalizuar, ose duke iu ndërprerë karriera, ose duke u lënë në hije, ose dhe deri tek goditje fizike. Këto janë akoma mbeturina të një mentaliteti dhe të një psikologjie që duhet të ishte tejkaluar në Shqipëri, por faktet tregojnë që jo. Unë nuk pretendoj ta zgjidh këtë problem, por të rihap debat”. Tribuna

Ndaje me miqte