0030 210 33 18 483

Regjistrimi i adresave brenda 6 muajve Rama: Sistem dhe regjistra transparent

ATSH 30 Janar 2017

Qeveria shqiptare prezantoi të hënën nismën për regjistrimin e popullsisë dhe adresave derë më derë. Gjatë aktivitetit, ku mori pjesë dhe Kryeministri Edi Rama, u fol mbi rëndësinë e këtij projekti. Rama tha se është ironike kur dëgjon ende shqiptarë që gjejnë shtëpinë me të pyetur. Sipas tij, sot në vendin tonë janë 4.4 milionë banorë, por të gjithë shqiptarët thonë se janë 3 milionë banorë. “Mungesa e adresave tregon prapambetjen e vendit. Popullsia sipas regjistrimit të censusit është 4.4 milionë banorë. Por e vërteta është se jo vetëm ne nuk jemi familjarizuar me këtë shifër, pasi vijojmë të themi se jemi 3 milionë, por kjo popullsi nuk e di as të lidh numrin e banorëve me vendbanimin e tyre. Shqipëria sot është një vend, ku flukset migratore të shqiptarëve nga vendi ynë jashtë dhe flukset e brendshme janë thuajse të barazvlefshme. Sot nuk kemi një bazë të dhënash bazike të aksesueshme, pra me pak fjalë jemi i vetmi vend në Europë që të gjejmë shtëpinë me të pyetur, jo me adresë”, tha Rama. Sipas tij, shteti nuk mund t’i shërbejë të gjithëve njëllojë nëse ndodh kjo, nuk ka shpërndarje të njëjtë të shërbimeve dhe të mirave, si dhe vjelje të taksave, e pagesave të energjisë. ” “Prandaj duhet regjistruar popullsia sipas adresave, duke ngritur një regjistër transparent dhe me akses të plotë. Numri është unik për këto shtetas dhe nuk ndryshon”, tha Rama. Rama paralajmëroi se brenda gjashtë muajve regjistrimi do jetë falas, pastaj do të ketë gjobë. “Kudo në të gjithë botën është detyrimi i qytetarit që të bëjë me dije vendbanimin e tij, por ne nuk mund t’ia vëmë këtë detyrim përpara njerëzve, për të cilët nuk është kujtuar kush gjithë këto vite dhe t’u themi tani paguani, se e keni detyrim. Jo do ta bëjmë falas, do ta paguajë shteti, por vetëm për gjashtë muaj. Nuk është diçka që e bëj ose jo, më pëlqen t’i jap të dhënat, i jap, nuk më pëlqen, ia përplas derën në fytyrë atyre që i paguan shteti për të bërë këtë punë për qytetarin e kushdo që do ta bëjë këtë, mbas gjashtë muajsh do detyrohet jo vetëm ta bëjë këtë që kërkohet, por të paguajnë edhe gjobë”, theksoi kryeministri.

Ndaje me miqte