0030 210 33 18 483

Regjistrimi i emigrantëve miratohet me 72 vota &ldquopro&rdquo

19 Shkurt 2016

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të enjten në mbrëmje me 72 vota pro, projektligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Dispozitat përcaktojnë se shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, në një vit kalendarik, duhet të regjistrojnë afdresat e tyre të banimit. Identifikimi i adresës së shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet nëpërmjet vetëdeklarimit on-line dhe nga autoritetet përgjegjëse, që përcaktohen në këtë ligj. Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar dhe të konfirmuar, shërbime të gjendjes civile në Shqipëri, si dhe në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Ligji përcakton se në rast të mosregjistrimit, autoritetet përgjegjëse brenda dhe jashtë territorit të Republikës Shqipërisë, i refuzojnë atij shërbimin e kërkuar, deri sa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës. Përmbajtja e plotë e projektligjit që u miratua nga Kuvendi, ka si më poshtë: PER REGJISTRIMIN E ADRESES SE SHTETASVE SHQIPTARE QE JETOJNE JASHTE TERRITORIT TE REPUBLIKES SE SHQIPERISE Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë VENDOSI: KREU I DISPOZITA TE PERGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Qëllimi i këtij ligji është regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Neni 2 Fusha e veprimit 1. Ky ligj zbatohet për shtetasit shqiptarë të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, në një vit kalendarik. 2. Nuk janë subjekte të këtij ligji personeli i ngarkuar me detyra shtetërore dhe familjarët e tyre. Neni 3 Përkufizime Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”, dokumenti sipas përkufizimit të bërë në pikën 1, të nenit 2, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar. 2. “Regjistrimi i adresës”, regjistrimi i adresës së banimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj. 3. “Programi i regjistrimit të adresës”, pjesë përbërëse e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, i cili përmban të dhëna për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj në një vit kalendarik. Neni 4 Autoritetet përgjegjëse 1. Autoriteti përgjegjës për krijimin dhe administrimin e programit të regjistrimit të adresës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është ministria që mbulon shërbimin e gjendjes civile. 2. Autoritetet përgjegjëse për plotësimin e të dhënave në këtë program janë ministria që mbulon shërbimin e gjendjes civile, nëpërmjet nëpunësit të zyrës së gjendjes civile në bashki dhe ministria që mbulon shërbimin konsullor, nëpërmjet nëpunësit të autorizuar të përfaqësisë diplomatike dhe konsullore. KREU II IDENTIFIKIMI DHE REGJISTRIMI Neni 5 Identifikimi i adresës së shtetasve 1. Identifikimi i adresës së shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet nëpërmjet vetëdeklarimit on-line dhe nga autoritetet përgjegjëse, të përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji. 2. Procesi i përpunimit të të dhënave personale i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë identifikimin, vetëdeklarimin dhe regjistrimin e të dhënave në programin e regjistrimit të adresës kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. 3. Forma dhe përmbajtja e formularit tip të vetëdeklarimit të adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe ministrit që mbulon shërbimin konsullor. Neni 6 Identifikimi i adresës së shtetasve nëpërmjet vetëdeklarimit 1. Pas njoftimit të detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës, sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj, shtetasi plotëson formularin tip të vetëdeklarimit të publikuar në faqen zyrtare të autoriteteve përgjegjëse ose pranë zyrave përkatëse. 2. Shtetasi informohet, nëpërmjet faqes zyrtare të autoriteteve përgjegjëse dhe formularit tip të vetëdeklarimit, për qëllimin e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave personale. 3. Në rast vetëdeklarimi të adresës nga shtetasi në mënyrë elektronike, autoriteti përgjegjës konfirmon adresën e deklaruar nga shtetasi, nëpërmjet shërbimit postar. Autoritetet përgjegjëse nuk kryejnë asnjë veprim për regjistrimin e adresës së vetëdeklaruar, deri në konfirmimin e saj, nga shërbimi postar. 4. Rregullat për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës, procedura e plotësimit dhe e dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit, dokumentet shoqëruese të tij, si dhe administrimi i tyre nga autoritetet përgjegjëse miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 7 Identifikimi i adresës së shtetasve nga autoritetet përgjegjëse Kur shtetasi paraqitet pranë zyrës së gjendjes civile në bashki dhe në përfaqësinë diplomatike dhe konsullore për të përfituar shërbimet që ofrojnë këto zyra, nëpunësi përgjegjës ka detyrimin të verifikojë nëse është regjistruar adresa e këtij shtetasi në programin e regjistrimit të adresës. Neni 8 Regjistrimi i adresës 1. Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile në bashki dhe nëpunësi i autorizuar i përfaqësisë diplomatike dhe konsullore, të cilit i është dorëzuar, në njërën prej dy mënyrave, formulari i vetëdeklarimit i plotësuar dhe dokumentet shoqëruese, verifikon identitetin e shtetasit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, sipas procedurës së përcaktuar për këtë qëllim në legjislacionin për gjendjen civile. 2. Kur të dhënat e verifikuara përputhen me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, nëpunësi kryen menjëherë regjistrimin e adresës së shtetasit që jeton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në programin e regjistrimit të adresës. 3. Në rast se konstatohen mospërputhje të të dhënave të vetëdeklaruara nga shtetasi, me përbërësit e gjendjes civile të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, nëpunësi konstatues, sipas rastit, njofton shtetasin për saktësimin e të dhënave të kërkuara. 4. Veprimet për regjistrimin e adresës nga nëpunësit përgjegjës kryhen sipas manualit të miratuar për këtë qëllim nga ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile. Neni 9 Njoftimi dhe afatet 1. Autoritetet përgjegjëse, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetëdeklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse. 2. Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 3. Në rast ndryshimi të adresës, shtetasi deklaron adresën e re brenda 60 ditëve nga data e lidhjes së kontratës së qirasë apo shitblerjes së objektit të banimit, si dhe çdo dokument tjetër që provon ndryshimin e adresës. KREU III SHERBIMET E AUTORITETEVE Neni 10 Shërbimet e ofruara nga autoritetet përgjegjëse 1. Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar dhe të konfirmuar, këto shërbime: a) Shërbime të gjendjes civile; b) Shërbime të gjendjes civile në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. 2. Këshilli i Ministrave miraton shërbime të tjera që i ofrohen shtetasit shqiptar, që jeton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në adresën e vetëdeklaruar dhe të konfirmuar. KREU IV SANKSIONET ADMINISTRATIVE Neni 11 Sanksionet administrative 1. Autoritetet përgjegjëse brenda dhe jashtë territorit të Republikës Shqipërisë, në rast konstatimi të mospërmbushjes së detyrimit për deklarimin e adresës së shtetasit dhe të regjistrimit të saj, i refuzojnë atij shërbimin e kërkuar, deri sa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës, sipas procedurës së përcaktuar në nenin 6, të këtij ligji. 2. Bëjnë përjashtim nga pika 1, e këtij neni, shërbimet me karakter humanitar që përfaqësitë diplomatike dhe konsullore u ofrojnë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. KREU V DISPOZITA TE FUNDIT Neni 12 Miratimi i akteve nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë vendim, në zbatim të pikës 4, të nenit 6, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dhe të pikës 2, të nenit 10, të këtij ligji. 2. Ngarkohen ministri, që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe ministri që mbulon shërbimin konsullor, që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin urdhër, në zbatim të pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji. 3. Ngarkohet ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile, që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzim në zbatim të pikës 4, të nenit 8, të këtij ligji. Neni 13 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Ndaje me miqte