0030 210 33 18 483

Rekrutë shqiptarë në Greqi fotografohen duke bërë simbolin e shqiponjës. Rrezikojnë 5 vjet burg

TRIBUNA 23 Janar 2017

Shtatë të rinj shqiptarë në Greqi, që janë thirrur për të kryer shërbimin ushtarak, janë fotografuar duke krijuar simbolin e shqiponjës. Ata kanë marrë nënshtetësinë greke dhe sipas ligjit duhet të shërbejnë nën armë për nëntë muaj. Publikimi i fotografisë në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të shumta, edhe nga media greke, duke e detyruar shtabin e përgjithshëm të ushtrisë greke që të pozicionohet publikisht. Në një komunikatë për shtyp, lëshuar në orët e vona të së dielës, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë bën me dije se i ka identifikuar të shtatë rekrutët, të cilët janë paraqitur javën e kaluar në qendrën stërvitore në Mesologji, me kontigjentin që duhet të kryejë betimin më 2 shkurt. Qendra stërvitore në fjalë i përket regjimentit special, me ushtarët e gardës kombëtare që rrinë të veshur me fustanella dhe përbëjnë një nga imazhet më karakteristike e të fotografuara nga çdo turist që viziton Athinën. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë njofton gjithashtu se kjo çështje do të hetohet më tej. “Akti i shtatë rekrutëve do të kihet parasysh gjatë dhënies së specialiteteve, por edhe për caktimin e tyre në repartet ushtarake ku do të kryejnë shërbimin”, përfundon njoftimi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë greke. Ngjarja ka zënë vendon kryesor në disa prej gazetave të djathta greke të së hënës. Në konceptin e tyre, shtatë rekrutët me origjinë shqiptare “kanë bërë një provokim”, pasi “simboli i shqiponjës është identifikuar me synimet territoriale ndaj Greqisë”. Ndërkaq, shumë më të ashpra janë komentet në rrjetet sociale greke, ku shumë prej komentuesve kërkojnë që ndaj rekturëve të merren masa ekstreme, si dëbimi nga Greqia, deri në heqjen e nënshtetësisë”. Rrezikojnë 5 vjet burg Sipas televizionit grek, SKAI, çështja e shtatë rekrutëve i është kaluar për procedim prokurorit ushtarak të Janinës. Megjithëse, ata të shtatë nuk e kanë kryer ende betimin, akti i tyre i nënshtrohet ligjit ushtarak, citon SKAI burime anonime. Ata mund të akuzohen për fyerje të institucionit të forcave të armatosura, një akuzë që sipas ligjit mund të dënohet deri në 5 vjet burg. SKAI citon gjithashtu burime nga ministria e mbrojtjes, sipas të cilave ministri Panos Kammenos ka kërkuar hetimin e menjëhershëm të çështjes dhe dhënien e dënimeve që parashikon ligji.

Ndaje me miqte