Restaurimi i avionit të parë bombardues në botë
Zeri i Amerikes
22 Gusht 2017
Nga qiejt e Evropës së pushtuar tek një stallë elefantësh në Indi e deri tek destinacioni përfundimtar në një muze të aeronautikës në Angli - iu deshën 100 vjet rrugëtim një prej avionëve bombardues të parë të botës. Kur u gjet në Indi, ishte pothuajse e pamundur të dalloje se për çfarë avioni bëhej fjalë.
Bombarduesit e sotëm kanë motorrë të fuqishëm dhe mbajnë dhjetëra tonë municione. Por në fillim të Luftës së Parë Botërore, pilotët i hidhnin bombat me dorë.
Kur ushtria britanike e kuptoi se do ishte më efikase që bombat të lëshoheshin nga trupi i avionit përmes një komande, një prej avionëve më të mirë luftarakë të asaj kohe u konvertua, duke u bërë bombarduesi i parë strategjik në botë, me emrin e famshëm “de Havilland DH9”.Carl Warner është historian në muzeumin britanik të luftës.
“Ky ishte fillimi i idesë se bombarduesi do t’ia dilte mbanë dhe do të vazhdonte deri në vitet 40-të. Kjo fuqi e mahnitshme udhëhoqi ndërtimin e bombarduesve që i ngjasonin aeroplanit DH9”.
Por nga 2 mijë bombardues DH9, vetëm gjashtë u ruajtën në mbarë botën dhe asnjë në Britani.
Në vitin 1998, një anglez i apasionuar pas avionëve zbuloi disa bombardues DH9 në zonën rurale të Indisë në gjendje të keqe dhe përhapi lajmin.
Janice Black është drejtoreshë e Koleksionit të Avionëve Historikë.
“Mjerisht, motorët ishin hequr dhe avionët ishin vënë në stallat e elefantëve. Motorët i kishin përdorur për të pompuar ujë në fermë, nga ku edhe i morëm. Farmirësisht trupat e avionëve ishin brenda stallave dhe të ruajtur nga shiu.”
Ato që kishin mbetur nga avionët u ble dhe u transportuan në një hangar privat në Britani për restaurim. Restaurimi mori 60 mijë orë punë.
Avioni i parë i restaurur u ble për 1.3 milion dollarë në vitin 2007 nga Muzeumi Britanik i Luftës, por nuk është në gjendje të fluturojë.
Me gjithë rëndësinë, ky avion dy vendësh nuk ishte model i suksesshëm, kryesisht nga motori i pafuqishëm dhe i pasigurtë. Të pajisur me motorë më të mirë, shumë avionë u përdorën për shërbime civile pas luftës si transportues të postës.
Por vlera historike nuk mund të mohohet ndërsa doli në një pikë vendimtare në konfliktin e parë global. Ekipi i Koleksionit të Avionëve Historikë tani po restauron një avion të dytë të tipit DH9 për të cilin shpresojnë se do të ketë aftësi të fluturojë nga fundi i këtij viti.
Ndaje me miqte