Reuters: Tsipras po përgatit ndryshime në kabinetin e ministrave
TRIBUNA
22 Tetor 2016
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, po mendon mbi mundësinë e një rikopozimi të kabinetit qeveritar, me qëllim që të evitojë rënien e popullaritetit të tij, duke hequr ministra që i vlerëson si pengesë për lehtësimin e borxhit nga kreditorët ndërkombëtarë”, njofton agjencia prestigjoze Reuters, në një shënim me titullin “Po vjen rioganizimi i qeverisë, teksa kryeministri i varur nga sondazhet kërkon lehtësimin e borxhit”.
Sipas Reuters, që citon burime nga qeveria greke, ministri i energjisë, ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, Panos Skurletis, ndodhet midis ministrave që mund të zëvendësohen. Arsyeja, sipas burimit qeveritar, lidhet me kundërshtimet që Skurletis ka shfaqur për disa nga privatizimet kryesore që kërkojnë kreditorët.
Në të kundërt, ministri i financave, Euklidis Tsakalotos pritet të qëndrojë në postin e tij.
Sa u përket ndryshimeve të tjera, gazeta greke Ta Nea, raportoi të shtunën se pritet të ndryshojnë poste ministri i brendshëm dhe ai i drejtësisë. Sipas gazetës, edhe qëndrimi në post i ministrit të jashtëm, Nikos Kotzias, nuk konsiderohet i sigurtë.
Agjencia Reuters vlerëson se me ndryshimet në kabinetin qeveritar Aleksis Tsipras do të përpiqet të ndryshojë klimën negative që është krijuar kundër tij dhe që reflektohet qartazi në sondazhet ku SYRIZA paraqitet në mënyrë konstante në vend të dytë, pas partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re.
Tsipras “u zgjodh në pushtet para 21 muajsh, duke premtuar që t’i japë fund shtrëngesës. Mirëpo, u detyrua të ndryshojë kurs -për shkak të mundësisë që vendi i tij të dëbohet nga zona e euros- dhe të vazhdojë reformat e ashpra në kuadër të një pakete të tretë shpëtimi”, shënon Reuters. “Nëse Tsipras nevojitet një kabinet ministror i cili mund të finalizojë vlerësimin e programit sa më shpejt që të jetë e mundur, atëherë rikompozimi i qeverisë do të mund të ishte një zgjidhje”, i ka thënë agjencisë Reuters një nga burimet në Athinë, duke shtuar se kjo mund të ndodhë brenda muajit tetor.
Ndaje me miqte