Rilindja Urbane / Rama: Gati programi i ri i rindërtimit
ATSH
25 Janar 2017
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të martën me kryetarë të bashkive të vendit, u ndal dhe tek programin i ri i rindërtimit, që do të lancohet së shpejti nga qeveria. Ai tha se ky program mbështetet mbi tre shtylla dhe kërkoi angazhimin e pushtetit vendor në këtë drejtim.
“Programin e ri të rindërtimit që ne do të lançojmë shumë shpejt me tre shtylla, infrastrukturë rrugore, në këtë rast nacionale, por që do i shërbejë shumë bashkive, infrastrukturë rurale dhe turistike, dhe këtu bashkëpunimi do të jetë i drejtpërdrejtë me bashkitë. Infrastrukturë arsimore për rindërtimin e mbi 100 shkollave që janë në gjendje jo të mirë në territorin e Shqipërisë. Dhe këtu bashkëpunimi me ju (bashkite) është kyç dhe infrastrukturë shëndetësore për ngritjen e 10 poliklinikave moderne në vend dhe te një spitali rajonal në Fier”, tha Rama.
Ky program parashikohet të injektojë në ekonominë shqiptare 1 miliardë dollarë në harkun e tre viteve të ardhshme. Ndërkaq, duke folur për rilindjen e fshatit, Rama tha se janë mbështetur 136 projekte bashkish. Ai bëri thirrje për përdorimin brenda një viti buxhetor të fondit.
“Kemi financuar një paketë të re me buxhetin e vitit 2017 për 30 projekte që janë paraqitur nga 30 bashki të vendit dhe ky financim përfshin edhe infrastrukturë që prek realisht akse nevralgjike për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të bashkive. Paralelisht me këtë po punojmë për një paketë të dytë që shpresojmë ta vëmë në lëvizje brenda 2017 me BB që të kompensojmë edhe boshllëqe të mbetura nga kjo valë e parë kërkesash për disa bashki të tjetër”, tha Rama.
Kryeministri tha se është e domosdoshme që njësitë vendore të rrisin shpejtësinë dhe cilësinë e prokurimeve në këtë drejtim, pasi vihet re se ka jo pak projekte që zvarriten.
Për Rilindjen Urbane janë financuar në tërësi brenda gjithë komponentëve 540 projekte në rang vendi dhe për të çuar më tej procesin e rijetëzimit të plotë të rrjetit të ujitjes dhe kullimit, jo vetëm është bërë investim madhor deri tani po punohet për të ngritur një flotë të eskatorëve të rinj.
Po ashtu është vënë në dispozicion të bashkive një tjetër fond, për të vijuar punën intensive dhe për realizuar objektivin tonë katërvjeçar të mbulimit të një territori prej 280 hektarësh tërësisht me një infrastrukturë të rehabilituar, tha kryeministri.
Ndaje me miqte