Ringjallet shpresa për marrëveshje midis Greqisë e kreditorëve
02 Qershor 2015
Kryeministri grek Aleksis Tsipras është shprehur optimist se do të arrihet së shpejti marrëveshje në negociatat e Greqisë me partnerët e vet, nga përfundimi i suksessshëm i të cilave varet financimi i mëtejshëm i vendit.
“Qeveria greke po negocion me plan dhe strategji dhe ka paraqitur propozime konkrete”, deklaroi kryeministri Aleksis Tsipras të martën, gjatë një vizite në ministrinë e Arsimit dhe shtoi se “dilema tashmë i takon udhëheqjes së Europës”.
Në këtë mënyrë Tsipras konfirmoi zërat se Athina kishte paraqitur një projekt që u diskutua gjatë takimit të së hënës në mbrëmje në Berlin, midis kancelares Merkel, presidentit farncez Hollande she kreut të Komisionit Europian, Jean-Cleude Juncker. Në takim morën pjesë edhe shefja e FMN Christine Lagarde dhe kreu i BQE, Mario Draghi.
Sipas gazetës Financial Times, në takimin e Berlinit, shefat e tre kreditorëve të Greqisë (KE, BQE dhe FMN), i kanë ngushtuar diferencat e tyre lidhur me ato çka duhet të plotësojë Athina, si kusht për të marrë 7,2 miliardët e ndihmës financiare që i ka domosdoshmërisht nevojë.
Por pak orë pas publikimit të Financial Times dhe pak orë pas deklaratave optimiste të kryeministrit Tsipras, presidenti i eurozonës, ministri holandez i financave, Jeroen Dijsselbloem, tha se progresi i shënuar në negociatat nuk është i mjaftueshëm. “Eshtë evidentuar progres, por është me të vërtetë i pamjaftueshëm”, i deklaroi Dijsselbloem, rrjetit televiziv RTL të martën pasdite.
Gjithsesi, Financial Times, thekson se bisedimet e Berlinit kanë shënuar pikën më të rëndësishme në krizën greke këto tre muajt e fundit dhe zyrtarët europianë shpresojnë se një tekst përfundimtar mbi detyrimet e Athinës do të mund të dakordohej deri në përfundim të së martës.
Ndaje me miqte