Robert Goro: Takimi NanoMilosheviç çfarë ndodhi në Kretë në nëntor 1997
Robert GORO
16 Mars 2017
Edhe pse kanë kaluar plot 20 vjet, takimi i kryeministrit të atëhershëm shqiptar me “kasapin e Ballkanit” Sllobodan Milosheviç, vazhdon të mbetet objekt i një interesimi të madh nga publiku. Ndoshta pse atëherë kur ndodhi nuk u hodh shumë dritë.
Si një nga dëshmitarët e pakët që pata informacion autentik nga vetë Nano, menjëherë pas takimit, e kam përcjellë ngjarjen me detaje në BBC, si dhe e kam pasqyruar në librin tim “FYROM, supremacia e inferioritetit” (2001).
Pikërisht, ashtu siç e kam shkruar në atë libër, po ia përcjell edhe një herë lexuesit, me shpresën se do t’i shuaj sadopak kërshërinë...
Robert Goro
Samiti i Kretës, me 2-4 nëntor 1997 mblodhi për herë të parë rreth një tryeze gjithë udhëheqesit e lartë të shteteve ballkanike. Dhe vetëm për këtë fakt, ishte padyshim një ngjarje mjaft e rëndësishme për rajonin. Ky pohim bëhet edhe më i qëndrueshëm, po të kujtojmë se samiti pasues, ai i Antalias (Turqi) me 1998 dhe sidomos ai i Bukureshtit me 1999, u karakterizuan nga një nivel i ulët përfaqësimi, ku gati gjysma e shtetarëve nuk u paraqitën.
Para fillimit të vet, Samiti i Kretës ishte monopolizuar nga takimi eventual i kryeministrave të Greqisë e Turqisë, gjegjësisht Simitis e Jilmaz. Por shumë shpejt, interesimi i gjithë të pranishmëve u përqëndrua rreth dy liderëve të tjerë ballkanas: Nanos e Milosheviçit...
Për takimin Nano-Milosheviç kishte rreth dy muaj që flitej. M 1 tetor në Prishtinë ishte zhvilluar një demonstratë e studentëve shqiptare, të cilën policia serbë e kishte përballuar ashtu si zakonisht, me shkopinj gome e gaz lotesjellës. Disa ditë me vonë kisha intervistuar në Tiranë ministrin e jashtëm shqiptar, Paskal Milo dhe e kisha pyetur edhe për mundësinë e një takimi mes Nanos e Milosheviçit në Kretë. Milo ishte përgjigjur kategorikisht se përderisa studentët trajtohen me dajak nga policia serbë dhe mbetet e pa implementuar marrëveshja për arsimin që kishin nënshkruar “me korrespondencë” Milosheviçi e Rugova në shtator 1996, një takim i tillë nuk kishte kuptim.
Për realizimin e takimit kishte bërë presion të madh pala greke dhe vetë kryeministri Kostas Simitis, që e konsideronin takimin si një konfirmim të aftësive diplomatike rajonale të Greqisë. Gjatë vizitës së zotit Milo në Athinë (shtator 1997) mikpritësit i kishin propozuar një takim të nivelit të lartë shqiptaro-jugosllav në kuadrin e Samitit të Kretës, por pala shqiptare nuk kishte kthyer përgjigje. Në intervistën në fjalë Milo do të theksonte veç të tjerash: “Me gjithë respektin që kam për mikun tim të vjetër, zotin Pangallos, unë në Athinë nuk tregova ndonjë shenjë miratimi lidhur me ndërmjetësimin për një takim të nivelit të lartë shqiptaro-sërb. Ne nuk duam të bëjmë show politik, por dëshirojmë të bëjmë hapa konkretë në rrugën e përmirësimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Për realizimin e një takimi të tillë në parashtrojmë disa kushte, të cilat ia thashë edhe homologut tim jugosllav, zotit Milutinoviç kur u takuam në Nju Jork”. Ndër këto kushte Paskal Milo përmendte: zbatimin e marrëveshjes për arsimin që kishin nënshkruar në shtator 1996 Rugova e Milosheviç, heqjen e regjimit policor të Serbisë nga Kosova, nënshkrimin e disa marrëveshjeve mes Tiranës e Beogradit lidhur me regjimin kufitar, si dhe për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar e konsullor-juridik. “Nëse këto kushte përmbushen, ne jemi gati të shkojmë në një takim të tillë, madje pa pasur nevojë për ndërmjetës”, konkludonte më 1 tetor 1997 ministri i jashtëm shqiptar.
Natyrisht ideja e takimit, ndonëse ende nuk dihet se kujt pale i takonte, kishte marrë edhe miratimin nga Uashingtoni.
Në mbrëmjen e mbërritjes në Kretë të udhëheqësve ballkanikë në Agia Galini pranë Heraklios (1 nëntor), u dha darka e mirëseardhjes, ku Nano e Milosheviç i shtrënguan dorën njeri-tjetrit. Ky duarshtrëngim u interpretua si një ogur i mirë për realizimin e takimit. Prapa kulisave përpjekjet qenë intensifikuar, sidomos kur u muar vesh se Milosheviçi pranonte që të bëhej takimi, por vetëm me një kusht: Që të mos flitej fare për Kosovën. Nano, kuptohet, ngulte këmbë për të kundërtën dhe një hije misteri mbuloi për më shumë se 24 orë takimin eventual.
Këtij misteri iu shtua edhe një telefonatë nga Gjeneva në celularin tim, mesditën e 3 nëntorit. Ishte Xhaferr Shatri, ministër i informacionit i qeverisë së Republikës së Kosovës (të kryesuar nga Bujar Bukoshi). Zoti Shatri po më thoshte se do të më nisnin një deklaratë drejtuar Samitit dhe kërkonin që deklaratën ta dorëzoja unë. I thashë se kjo ishte punë që s’bëhej, pse unë ndodhesha në Kretë me cilësinë e korrespondentit të BBC-së dhe se më e mira do të ishte që deklarata t’i drejtohej zyrtarisht Samitit, prandaj i diktova numrat e telefonave e të fakseve. Kështu edhe u bë. Deklarata, e nënshkruar nga kryeministri Bujar Bukoshi, pasi shprehte pezmatimin pse në Kretë “nuk u ftuan përfaqësuesit e ligjshëm të popullit të Kosovës”, theksonte: “Qeveria e Republikës se Kosovës deklaron se askush tjetër përveç përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, nuk ka mandatin të diskutojë në emër të Kosovës e të ndërmarrë çfarëdo zgjidhjeje për Kosovën”. Nuk donte shumë mend se ky pasazh i fundit “siluronte” pikërisht takimin e pritshëm të Nanos me Milosheviçin. E mora Nanon në celular dhe ai dërgoi këshilltarin e vet, Vladimir Prelën, në sallën e shtypit ku ndodheshim ne gazetarët. Edhe sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar nëse Ladi nuk dinte apo nuk donte të më thoshte nëse takimi më në fund do të bëhej.
Sa për deklaratën e qeverisë së Kosovës këshilltari diplomatik i Nanos më tha se nuk e konsideronte si një kundërvënie ndaj takimit, pse ishte normale që në kuadër të një mbledhjeje të tillë të nivelit kaq të lartë pala shqiptare të diskutonte për Kosovën.
Pasdite gjeta momentin të pinim një kafe me zotin Nano dhe natyrisht e pyeta çfarë do të bëhej. “Eshtë e qartë, me tha, po të mos tërhiqet Milosheviçi, unë nuk kam pse shkoj në takim, pse pa Kosovën, një takim i tillë do të ishte pa thelb e do t’i shërbente vetëm Milosheviçit, aq më tepër që vetëm një muaj na ndan nga zgjedhjet presidenciale në Serbi”.
Ndërsa të 400 gazetarët që ndodheshin në sallën e shtypit përpiqeshin me kot të mësonin gjesend për takimin, ambasadori Kastriot Robo, i cili sapo kishte marrë detyrën në krye të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Athinë, më telefonoi rreth orës 19,00, për të më thënë se takimi do të bëhej.
Takimi filloi në orën 19,30, në hotelin Sofitel Capsis Palace, hotel ku bujtja edhe unë, por që gjithë gazetarët e kishim të pamundur të qaseshim në pjesën lindore ku rrinin udhëheqësit e lartë, megjithëse kjo pjesë dhe perëndimorja ku rrinin përfaqësuesit e medias, komunikonin nëpërmjet një kalimi të nëndheshëm luksoz e plot shkëlqim.
Pikërisht në hollin e këtij kalimi do të ulesha më vonë me me Fatos Nanon dhe ai do të tregonte për takimin me Milosheviçin. Sipas Nanos, sapo ishte mbyllur dera, ai i kishte thënë Milosheviçit “Do të flasim për Kosovën dhe ju do të më dëgjoni”. Dhe për 25 minuta kishte folur vetëm Nano, ndërsa biseda ndërpritej për të bërë ndonjë ndërhyrje Miloshevici “i mbytur në djersë” (sipas Nanos), apo për të kthyer gotën e uiskit...
Nano kërkoi trajtim të barabartë sa u përket të drejtave njerëzore dhe lirive të shqiptarëve dhe theksoi se zbatimi i marrëveshjes për arsimin që kishin nënshkruar një vit me parë Milosheviçi e Rugova do të ishte një tregues i parë i respektimit të këtyre të drejtave. Milosheviçi premtoi t’ia përcillte çështjen një komisioni ekspertësh, si dhe dha garanci për zgjidhje të çështjes së Kosovës në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe legjislacionit jugosllav, duke përsëritur se Kosova ishte një çështje e brendshme e Jugosllavisë. Nano ia hodhi poshtë këtë argument duke theksuar se çështja e Kosovës “nuk mund të jetë çështje e brendshme, sepse të drejtat e njeriut nuk maten me kutin e regjimeve e të shteteve që i trajtojnë komunitetet etnike si objekte që duhet të nënshtrohen”. Gjithashtu i kërkoi të fillonte dialogun e drejtpërdrejtë me Rugovën, duke i kujtuar se kur u nënshkrua marrëveshja për arsimin, të dy burrat nuk qenë takuar me njeri-tjetrin. (Ata u takuan më në fund në pranverë 1999, disa ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s...).
Fakti se u fol për Kosovën, konfirmohet edhr nga deklarata për shtyp e Milosheviçit rreth takimit, ku ai thotë se u diskutua për “minoritetin shqiptar në Kosovë”. Sa për histori, le të themi se Milosheviçi për kundërpeshë dhe gjithmonë sipas rrëfimit të Nanos pas takimit, i shtroi çështjen e “të drejtave të minoritetit serb dhe malazez që jeton në Shqipëri”. Nano deklaroi se “është një realitet që duhet marrë parasysh”. Në të vërtetë, shumëkush e din se në Shqipëri ka qenë një pakicë e vogël serbësh e malazezësh, kryesisht në disa fshatra të rrethit të Shkodrës, shumica e të cilëve u larguan për në Jugosllavi menjëherë pas ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri në vitet 1990-1991.
Po për histori, shënojmë gjithashtu se të dy udhëheqësit ranë dakord që të vazhdojnë kontaktet dypalëshe, me qëllim rivlerësimin esencial të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Vetë Nano, në mikrofonin e BBC-së do të deklaronte:
“Ky ishte një takim që ndodh pas më shumë se gjysmëshekulli midis autoriteteve të Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe sigurisht, si i tillë, përbën një ngjarje historike. Një ngjarje historike në një optike moderne. Sepse takimi nxiti dialogun, ose rifillimin e dialogut dhe mbi bazën e dialogut, i cili u shtri mbi të gjitha problemet që ekzistojnë në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, si në planin e bashkëpunimit ndërshtetëror, ashtu edhe në planin e dialogut ndëretnik, veçanërisht ndërmjet Kosovës e Beogradit, sepse komuniteti shqiptar në Jugosllavi është shumë i madh për t’u neglizhuar dhe shumë i qytetëruar për t’u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Prandaj, nëqoftëse u arrit të fillojë dialogu, kjo do të thotë që të pasohet nga takime të tjera; shpresoj që nuk do të paragjykohen as nga palët, as nga opinion i publik, sepse qëndrimet tona për interesat kombëtare janë tashmë qëndrime europiane, të hapjes së kufijve, të zhvillimit të gjithanshëm të kontakteve midis shqiptarëve dhe qytetarëve të kombësive të tjera në Ballkan, gjë që do ta bënte vetë Ballkanin të europianizohej me shpejt. Natyrisht, nuk mund të them që pikëpamjet ishin të njëjta, por kjo krijon mundësinë që në vazhdimin e dialogut të gjenden pika të tjera bashkëpunimi dhe të krijohen -shpresoj- edhe qëndrime të njëjta për probleme të përbashkëta. Problemet e përbashkëta i referohen gjithmonë nevojës së garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët në të gjitha vendet e Ballkanit, pra edhe për serbët e shqiptarët në Republiken Federative të Jugosllavisë, dhe kjo nuk mund të konsiderohet një çështje e brendshme e Jugosllavisë, sepse të drejtat civile nuk mund të maten me kutin e regjimeve apo të shteteve, qoftë edhe të maxhorancës në vende të caktuara, të cilat i trajtojnë komunitetet e tjera etnike dhe nacionale si subjekte që duhet të nënshtrohen. Nga kjo pikëpamje unë mendoj se e vetmja altemativë edhe për Serbinë është të pranojë logjiken e plotësimit të detyrimeve ndërkombëtare që e kanë çuar në izolimin dhe sanksionet e derisotme, të pranojë zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit, të pranojë njohjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga pikëpamja politike dhe institucionale në Kosovë dhe përfundimisht ky është shtrati mbi të cilin do të zhvilloheshin me shpejt dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona”.
Ashtu siç pritej, takimi Nano-Milosheviç shkaktoi reagime në Shqipëri e në Kosovë. Bujar Bukoshi deklaroi se, ndonëse i mbetet konsekuent qëndrimit të shprehur në deklaratën drejtuar Samitit, një rezultat esencial do të ishte i mirëpritur. Ndërsa Sali Berisha u deklarua kundër takimit dhe përgjithësisht kundër samitit të Kretës. Për takimin Nano-Milosheviç, Berisha vlerësoi se u bë vetëm e vetëm për t’u lançuar Milosheviçi dhe se midis Milosheviçit dhe Kosovës Nano zgjodhi të parin.
Në shënimet e mia rreth këtij takimi, nënvizoja ndër të tjera: “Përfundimisht, pyetjes se kush doli më i fituar nga Samitit i Kretës do t’i përgjigjeshim pa hezitim: Fatos Nano, i cili i parashtroi qartë pikëpamjet e veta, duke i rritur kështu aksionet deri me tash të luhatura në bursën ndërkombëtare, e cila nga ana e vet nuk mund të akuzojë Shqipërinë se i mungon dëshira për zgjidhje paqësore të problemit. Nga ana tjetër, vetë Shqipëria është e pafuqishme për t’i ndryshuar Milosheviçit kokëfortësinë në qëndrimin ndaj Kosovës”. Dhe shtoja: “Me aktin e tij për të pranuar takimin, Nano thjesht ia kaloi “stafetën” palës jugosllave e cila natyrisht nuk mund të japë asnjë garanci konkrete për zgjidhjen e problemit “në bazë ë së drejtës ndërkombëtare”. Përkundrazi...”.
Përkundër reagimeve, Nano për asnjë çast nuk u “pendua” për takimin me Milosheviçin. Tri a katër ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, (mars 1999), shfrytëzova rastin dhe e pyeta Nanon (në atë kohë deputet i thjeshtë i PS), se si e vlerësonte në rrethanat e reja takimin me Milosheviçin:
“Ishte një ndër hapat e parë logjike të koherencës së faktorit politik shqiptar me komunitetin ndërkombëtar për të mbërritur në izolimin politik të Milosheviçit. Të njëjtat gjëra që i janë thënë dhe vazhdojnë t’i thuhen Milosheviçit nga negociatorët dhe gjithë palët e tjera, përfshirë edhe faktorin kosovar, që janë të interesuara për një proces të normalizimit të gjendjes nëpërmjet institucionalizimit të proceseve demokratike në Kosovë dhe në rajon, i janë thënë drejtpërdrejtë nga unë në takimin e Kretës. Nga kjo pikëpamje nuk është vetëm në dorë të Milosheviçit zgjidhja përfundimtare e situatës në Kosovë dhe e konfliktit me realitetet e vjetra që lidhen me pushtetin e Milosheviçit, por tashmë është bërë e qartë se edhe vetë serbët po vuajnë një nga diktaturat më të egra në historinë e njerëzimit dhe nëpërmjet këtyre instrumentave që sjellin përfundimisht rrethimin demokratik të Serbisë, shkohet normalisht drejt likuidimit të kësaj diktature”.
Ndaje me miqte