0030 210 33 18 483

Roma protestë ndaj vendimit të Austrisë për kontrolle në kufi

13 Prill 2016

Ministrat e jashtëm e të brendshëm të Italisë, i janë drejtuar Komisionit Europian, për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë austriake që të “shtrëngojë” kufirin me Italinë dhe madje të ndërtojë edhe një gardh, nga frika e përballjes me flukse të mundshme refugjatësh. Vetë Viena, i ka mbrojtur lëvizjet e saj si “të mevojshme”, kundrejt kritikave që kanë nisur të shfaqen nga KE. Austria ka filluar punën përgatititore për vendosjen e kontrolleve në pikën kufitare të Brenerit, dhe punimet teknike për ndërtimin e një gardhi. Kontrollet në kufi, sipas Vienës, parashikohet të fillojnë “më së voni” më 1 qershor dhe kohëzgjatja e tyre do të varet nga zhvillimet në kalimin e shtetasve nga vendet e treta. Nga Roma, ministri i jashtëm Paolo Gentiloni dhe ministri i brendshëm Angelino Alfano, i bënë thirrje Komisionit Europian që të “shqyrtojë me urgjencë nëse masat që ka paralajmëruar Austria janë në përputhje me Marrëveshjen e Shengenit”. Zëvendësministri i jashtëm italian, Filippo Bubbico, deklaroi se Roma do të synojë madje edhe aktivizimin e procedurave juridike kundër Austrisë. “Nëse austriakët ndërtojnë një gardh në Brener, kjo do të justifikonte aktivizimin e procedurave europiane për shlekjen e Marrëveshjes Shengen”, tha zëvendësministri i jashtëm italian. Më herët, një zëdhënëse e KE, kishte deklaruar që “nëse plane të tilla realizohen, do të duhet t’i shqyrtojmë me shumë kujdes”, ndërsa vuri në dukje “shqetësimin” e Brukselit. Komisioneri për çështjet e emigracionit, Dimitris Avramopulos, ishte shprehur kritik ndaj planeve të palës austriake, duke theksuar që “gardhet nuk janë zgjidhja e duhur”. Nga ana e vet, kancelari austriak, Werner Faymann, i mori në mbrojtje lëvizjet e Vienës, pas referimeve nga KE, duke thënë se “disa prej masave mund të mos jenë të dëshirueshme, por janë të nevojshme dhe të domosdoshme”. Ministrja e brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, e cilësoi si të “pakuptueshëm” reagimin italian, duke thënë se “është fjala për zbatimin e atyre që i kishim thënë Romës javë më parë”. Ministrja shtoi se Viena “do të bëjë gjithçka që të garantohet liria e lëvizjes në pikën e Brenerit”, dhe i ndërlidhi zhvillimet me lëvizjet e palës italiane. Ajo tha se homologu i saj italian e kishte garantuar se do të merrte të gjitha masat për të parandaluar kalimet e paligjshme nëpërmjet pikës së Brenerit dhe “niveli i kontrolleve (austriake) në atë pikë kufitare do të varet nga masat që do të marrin italianët”... Tribuna

Ndaje me miqte