Rrëzohet avioni me futbollistët brazilianë
TRIBUNA
29 Nentor 2016
Një avion me 81 persona në bord, mes të cilëve edhe një ekip futbolli brazilian, është rrëzuar në orët e para të mëngjesit të së martës në afërsi të qytetit Medellin, në Kolumbi.
Nuk ka shumë detaje për ngjarjen, por raportohet se mund të ketë dhe të mbijetuar.
Avioni charter po fluturonte nga Bolivia dhe me të po udhëtonte ekipi brazilian i futbollit Chapecoense, thanë zyrtarët e aeroportit.
Ekipi po shkonte për të luajtur finalen e Kupës së Amerikës së Jugut (Copa Sudamericana) me vendasit e Atletico Nacional të Medellinit.
Ndeshja e parë e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Amerikën e Jugut do të luhej të mërkurën, por u anulua pas aksidentit.
Chapecoense, ekip i qytetit brazilian Chapeco, u ngjit në kategorinë e parë, Serie A, në 2014 dhe arriti në finalen e Copa Sudamericana pas fitores kundër ekipit argjentinas, San Lorenzo.
Raportimet thonë se avioni, në bordin e të cilit ndodheshin 72 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit, u rrëzuar pak para mesnatës sipas orës lokale.
Kryetari i bashkisë së Medellinit Federico Gutierrez e përshkruajti si një “tragjedi me dimensione të mëdha”, por shtoi se ka mundësi të ketë të mbijetuar.
Jose Maria Cordova, nga aeroporti Rionegro, që i shërben Medellinit, postoi në Twitter: “Konfirmohet se avioni me numër licence CP2933 po transportonte ekipin Chapecoense. Duket se ka të mbijetuar”.
I njëjti zyrtar tha pak më pas se “ishte duke u mobilizuar e gjithë ndihma e mundshme, pasi janë raportuar gjashtë të mbijetuar”.
Ndërkaq, një njoftim më i fundit, e rrit në 13 numrin e të mbijetuarve.
Moti i keq ka bërë që vendi i rrëzimit të avionit të arrihet vetëm në rrugë tokësore.
E rëndësishme është se rrëzimi nuk është shoqëruar me shpërthim zjarri, çka u jep shpresa të shumta ekipeve të shpëtimit se të mbijetuarit mund të gjenden.
Sipas disa raportimeve mediatike, me të njëjtin avion kishte udhëtuar javën e kaluar përfaqësuesja e Argjentinës që kishte shkuar në Brazil, për ndeshjen e radhës në eliminatoret e Botërorit 2018.
Ndaje me miqte