0030 210 33 18 483

Rrjedhjet e depozitave mbajnë në fuqi kontrollin e kapitaleve

25 Prill 2016

Parashikimet optimiste për një vit më të mbarë të sektorit bankar në Greqi ia kanë lënë vendin skepticizmit. Dhe kjo për arsye të pasigurisë politike që dominon në Greqi, krahas vonesave të mëdha në negociatat e qeverisë me kreditorët. Në parashikimet e tyre fillestare që u depozituan vitin e kaluar në Bankën Qendrore Europiane, drejtuesit e bankave greke vlerësonin se gjatë vitit 2016 depozitat e qytetarëve në Greqi do të shtoheshin me 7,5 miliardë euro. Ky parashikim ishte mbështetur në arsyetimin se negociatat do të ishin finalizuar shumë shpejt dhe se ekonomia do të kishte hyrë në një rrugë normale. Rrjedhimisht, bankierët parashikonin se që nga fillimi i tremujorit të dytë, do të kishte ritme pozitive në shtimin e depotizave. Por në vend të kësaj, bankat kanë konstatuar një rredhje prej 2,55 miliardë euro të depozitave, edhe pse mbetet në fuqi kontrolli i kapitaleve. Që do të thotë se qytetarët kanë të drejtë të tërheqin nga llogaritë e tyre bankare vetëm 60 euro në ditë, ose 420 euro në javë. Kjo masë u vendos në korrik të vitit të kaluar, kur vendi u ndodh në buzë të falimentimit, për shkak të referendumit që inicioi kryeministri Tsipras dhe që solli si rezultat një program të tretë shpëtimi, me masa të reja shtrënguese. Situata e rrjedhjes së depozitave ka lënë pezull edhe parashikimet optimiste të qeveritarëve grekë, por dhe të vetë bankierëve se kontrolli i kapitaleve do të hiqej shumë shpejt. Kontrolli mbi qarkullimin e parasë, në ndërthurje edhe rritjen e njëpasnjëshme të taksave kanë krijuar një atmosferë mbytëse për biznesin e rrjedhimisht për punonjësit. Sipas një studimi të fundit, rreth 1,2 milionë punonjës paguhen me një vonesë nga 3 deri 12 muaj, ndërsa ka filluar të përhapet edhe mënyra e pagesës në mall, në kushtet e mungesës së parave të thata.. Tribuna

Ndaje me miqte