Rusia shpall "agjentë të huaj" Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë
Zëri i Amerikës
07 Dhjetor 2017
Ministria ruse e Drejtësisë ka shpallur "agjentë të huaj" nëntë media amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës. Ministria po ashtu radhiti në listë Radion Evropa e Lirë/Radio Liria dhe disa nga partnerët e saj, pasi paralajmëroi muajin e kaluar se ato mund të prekeshin.
Drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennet tha se "Ne jemi të ndërgjegjshëm për vendimin e autoriteteve ruse dhe që Ministria ruse e Drejtësisë ka lënë të kuptohet se emërtimi i ri ka për t'u shoqëruar me kufizime të mëtejshme ndaj punës së Zërit të Amerikës në Rusi. Deri tani këto kufizime nuk dihen. Ne do t'i shqyrtojmë me kujdes të gjitha komunikimet nga ministria dhe organizata të tjera ruse."
Zonja Bennet shtoi se "ne mbetemi njëkohësisht të përkushtuar që të vazhdojmë të jemi një burim i besueshëm dhe me autoritet lajmesh ndaj audiencave rusishtfolëse."
Presidenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Tom Kent, tha përmes një deklarate se Ministria ruse e Drejtësisë ka lënë të kuptohet se përcaktimi i ri ka për t’u shoqëruar me “kufizime” të reja ndaj punës së kompanisë mediatike në Rusi.
Ai shtoi se “natyra e plotë e këtyre kufizimeve nuk dihet”, por u zotua se rrjeti mbetet “i përkushtuar për ta vazhduar punën gazetareske. Në interesin e dhënies së lajmeve të sakta dhe objekte për audiencën rusisht-folëse.”
Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi në nëntor ligjin që i jep autoritet qeverisë t'i shpallë mediat që financohen nga jashtë si "agjentë të huaj” dhe të vendosë sanksione ndaj tyre.
Zyrtarët rusë e cilësuan ligjin e ri si një "përgjigje simetrike" ndaj asaj që ata e përshkruajnë trysni amerikane ndaj medias ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjit dhjetëra vjeçar për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, tha se FARA synon nxitjen e transparencës, por nuk kufizon veprimtarinë e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti amerikan i shtetit e dënoi ligjin rus, duke thënë se ai pengon lirinë e shtypit. “Legjislacioni i ri rus që i lejon ministrisë së Drejtësisë t’i përcaktojë mediat si "agjentë të huaj", dhe të mbikqyrë apo të bllokojë aktivitete të caktuara në internet, paraqet një tjetër kërcënim për mediat e lira në Rusi.”- tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert në një deklaratë muajin e kaluar.
Ndaje me miqte