Schulz: &ldquoMe Merkel do të bëjmë gjithçka që të mbetet Greqia në euro&rdquo
15 Qershor 2015
Bindjen se do të arrihet marrëveshje midis Athinës dhe kreditorëve ka shprehur presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, dhe ka theksuar se në një bisedë telefonike që kishte të dielën në mbrëmje me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ranë dakord që të bëjnë gjithçka, me qëllim që Greqia të mbetet në Eurozonë.
Schulz paralajmëroi se një Grexit do të ishte katastrofal për të dy palët dhe i bëri thirrje Aleksis Tsipras që “të kapë dorën që po i zgjat Europa”.
“Do të vazhdojmë të negociojmë deri javën e ardhshme dhe po ju them se do të ketë kompromis, sepse jemi politikanë të përgjegjshëm. Angela Merkel nuk është mike e imja. Por bisedova sot me të në telefon dhe do të bëjmë gjithçka që të mbajmë Greqinë në euro, sepse as kancelarja nuk e dëshiron katastrofën... Jam thuajse i sigurt se do t’ia arrijmë. Grexit do të ishte shumë i keq për të dy palët. Eshtë e gabuar pikëpamja se Greqia do të bëhej më kompetitive po të dilte nga euro. Përkundrazi, do të vuante jashtëzakonisht shumë.... NE pamje të parë Gjermania nuk do të kishte asnjë problem, as ekonomik, as politik nga një Grexit, mirëpo Eurozona nuk përbëhet vetëm nga Gjermania dhe veçanërisht Franca dhe Italia do të kishin pasoja të drejtpërdrejta... Grexit do të përbënte rrezik për Europën dhe për ekonominë botërore”, deklaroi Schulz gjatë një emisioni politik në televizionin publik gjerman ARD, të dielën në mbrëmje dhe pasi ishte njoftuar ndërprerja e negociatave midis Athinës dhe kreditorëve në Bruksel.
Duke iu referua pasojave nga një dalje e mundshme e Greqisë prej Eurozonës, Schulz vuri në dukje se “mund të mos ketë pasoja serioze, por mund të kemi edhe një katastrofë ekonomike”, për të shtuar se “Nuk dua të vemë në rrezik suksesin ekonomik të Gjermanisë dhe të Europës për shkak të një vendimi të gabuar dhe prandaj, sado e ashpër që të dëgjohet, do të përpiqem të negocioj deri në sekondën e fundit për të evituar atë tragjedi”.
“Greqia duhet më në fund të pranojë dorën që po i zgjat Europa”, theksoi socialdemokrati gjerman dhe shtoi se në politikë nuk mjafton të thuash “mjaft më”, por duhet të ruash gjakftohtësinë tënde dhe se “të mbajmë Greqinë në euro është punë më e mençur se sa një Grexit”.
Shulz u deklarua “shumë i zhgënjyer” nga qeveria e sotme greke, “sepse nuk pranojnë dorën që u kemi shtrirë”, por nga ana tjetër theksoi se “kjo qeveri ndodhet vetëm gjashtë muaj në pushtet dhe kriza u shkaktua nga qeveritë e mëparshme”.
Më tej Schulz iu referua grekëve të pasur që nuk paguajnë taksa. “Më të pasurit e grekëve nxorrën jashtë shtetit 120 miliardë euro në mesin e krizës, midis të tjerash edhe në bankat zviceriane, por duhet të themi se edhe ne ne Europë nuk jemi në gjendje të zbatojmë një sistem europian taksimi minimal, sepse vendosin vetë shtete anëtare. Prandaj nuk duhet të na bëjë përshtypje që të pasurit i nxjerrin paratë jashtë dhe të vegjlit paguajnë. Dhe simpatia ime shkon tek populli grek që po paguan faturën”, deklaroi Martin Schulz.
Tribuna
Ndaje me miqte