0030 210 33 18 483

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry në Tiranë ... edhe për reformën në drejtësi

13 Shkurt 2016

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry pritet të vizitojë të dielën më 14 shkurt kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku do të qëndrojë për disa orë. Sipas axhendës së shpallur nga pala shqiptare, sekretari amerikan do të pritet në ora 09,00 në aeroportin e Rinasit nga presidenti Bujar Nishani, me të cilin do të ketë po aty edhe një bisedë. Gjatë takimeve të tij zyrtare, sekretari Kerry, do të zhvillojë një bisedë dypalëshe me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, për të vijuar më pas me kryeministrin Edi Rama. Takimi i radhës do të jetë me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Qëndrimi në Tiranë pritet të mbyllet me një bashkëbisedim të sekretarit amerikan të Shtetit me një grup të rinjsh shqiptarë. Ndër temat kryesore të takimeve zyrtare parashikohen ato që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre. Vitin e kaluar Shqipëria nënshkroi dhe dokumentin e Partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni është një mbështetës i fortë i procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe kjo pritet të jetë një tjetër temë diskutimi, me fokus reformën në Drejtësi, për të cilën amerikanët kanë luajtur një rol të dorës së parë. Palët pritet të diskutojnë dhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit dhe zhvillimet e fundit, vecanërisht në Kosovë si dhe problemin e krizës së refugjatëve. Shqipëria i konsideron Shtetet e Bashkuara një partner strategjik. Në vitin 2012, gjatë vizitës së atëhershme të sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, qeveria e ish kryeministrit Berisha ju përgjigj pozitivisht kërkesës për strehimin e 210 muxhahedinëve, përfaqësuesë të opozitës iraniane, të cilët gjendeshin në Irak. Grupi i parë prej 14 vetësh mbërriti në Tiranë në majin e 2013. Nga ana e saj edhe qeveria e kryeministrit Edi Rama iu përmbajt angazhimit të parardhësit. Zoti Rama e pohoi vetë këtë gjatë ndërhyrjes në parlament një ditë më parë kur u shpreh se “është vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë për arsye që s’ka nevojë t’i shtjellojmë këtu”, deklaroi kryeministri. Në fakt, grupe të tjera muxhahedinësh kanë vijuar të strehohen në Shqipëri. Një pjesë e tyre e kanë lënë më pas vendin, por janë disa qindra që gjenden ende në territorin shqiptar, dhe nën kujdesin e autoriteteve, të cilat janë të gatshme të presin edhe grupe të tjera, ndoshta me një numër më të madh nga ai i këtyre viteve të fundit.

Ndaje me miqte