0030 210 33 18 483

Selanik operacioni për çaktivizimin e bombës: 72 mijë banorë do të evakuohen të dielën

TRIBUNA 09 Shkurt 2017

Në Selanik po vazhdon puna për finalizimin e operacionit të madh të largimit të një bombe të mbetur që nga Lufta e Dytë Botërore. Bomba u lokalizua në një pikë karburanti në rrugën Nea Monastiriu, në pjesën perëndimore të qytetit. Siç njoftohet, bomba që përmban 153 kg eksploziv, është e zakonshme, ndërsa njësia 112 minakërkuese ka çaktivizuar dhjetra bomba të ngjashme në aeroportin “Maqedonia”, përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP dhe në zona të tjera. Detajet e operacionit janë shqyrtuar në një mbledhje në zyrat e periferisë së Maqedonisë Qendrore. Për këtë ka filluar një fushatë informimi, ndërka është përgatitur dhe një hartë e hollësishme, me qëllim që çdo banor të mësojë nëse shtëpia e tij ndodhet brenda zonës që do të evakuohet. Më konkretisht, nga zona Kordelio-Evosmos do të evakuohen 62.000 banorë dhe 10.000 të tjerë nga Ambelokipus-Menemeni. Në Delta nuk do të ketë evakuime, pasi ndodhet jashtë zonës së rrezikut. Pikat e grumbullimit dhe qëndrimit të banorëve që do të lënë shtëpitë e tyre për sa kohë që do të zgjasë operacioni për çaktivizimin e bombës, janë përcaktuar. Procesi i evakuimit do të fillojë herët paraditen e të dielës, me qëllim që deri në orën 10,00 të mos ketë mbetur as edhe një njeri brenda kufijve të zonës së evakuimit; zonë që është përcaktuar në një hark prej 1,9 kilometrash. Sipas periferisë, banorët mund të lëvizin me mjetet e tyre, ndërsa edhe ndërmarrja e transportit publik, OASTH, do të disponojë për këtë qëllim më shumë se 100 autobusa. Për njerëzit me aftësi të kufizuara (invalidë, të sëmurë, të moshuar), do të pajtohen mjetet të posaçme nga ana e autoriteteve. Gjithashtu, edhe bizneset në zonën e evakuimit janë njoftuar se duhet të ndërpresin çdo aktivitet, që nga ora 10,00 e të dielës dhe deri në momentin e finalizimit të operacionit.

Ndaje me miqte