Serbi: Evakuohet kryeministri Vuçiç
TRIBUNA
30 Tetor 2016
Në Serbi, policia tha se e ka evakuuar të shtunën kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç dhe familjen e tij në një "vend të sigurt", pasi që gjeti një sasi armësh, përfshirë edhe një raketahedhës afër shtëpisë së prindërve të tij, që ai e vizitonte shpesh.
Armët, ku kishte edhe granata dore dhe municione, janë gjetur në gëmusha në afërsi të Jajincit, afër një udhëkryqi ku autokolona e kryeministrit Vuçiç ngadalësonte shpejtësinë derisa ai shkonte tek prindërit e tij, u tha gazetarëve ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.
Prindërit e tij, Angelina dhe Angjelko, jetojnë në Jajinci. Vuçiç dhe familja e tij e ngushtë jetojnë në Beograd, ndërsa Stefanoviç tha se ai është dërguar diku tjetër pas zbulimit të armëve.
Zbulimi që pasoi një paralajmërim, përkeqëson atmosferën edhe ashtu të tensionuar në rajonin që po përballet me barrën e krizës së migruesve në Evropë dhe ku vendet e Ballkanit vazhdimisht shkëmbejnë akuza për ndërhyrje në punët e brendshme të njëri tjetrit.
"Kryeministri është i sigurt sikurse edhe familja e tij ... Eshtë shqetësuese që armët ishin vendosur në vendin ku autokolona e tij ngadalësonte shpejtësinë deri në 10 kilometra në orë", tha ministri Stefanoviç.
Agjencia ushtarake serbe e zbulimit është përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit, ndërsa pjesëtarët e Kobra-s, një njësi elite e armatës, shërben si truprojë e tij personale.
Ministri Stefanoviç, nuk deshi të thotë se ku ishte kryeministri Vuçiç, kur u zbuluan armët. "Kjo është informatë e besueshme.. për çdo rast, ai është në vend të sigurt tani".
Tani për tani nuk ka pasur të arrestuar në lidhje me incidentin, që ndodhi pesë ditë pasi që autoritetet arrestuan një numër personash lidhur me përbetimin e dyshuar për ndërhyrje ne zgjedhjet e 16 tetorit në Malin e Zi dhe pas një numri vrasjesh në stilin mafioz ndërmjet grupeve kriminale në Beograd.
Siguria e kryeministrit serb dhe zyrtarëve të lartë të Serbisë, është shtuar pas atentatit të vitit 2003 mbi kryeministrin Zoran Gjingjiç, shefi i parë i qeverisë serbe pas rrëzimit të ish presidentit serb Slobodan Milosheviç, në vitin 2000.
Në një deklaratë, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, tha se shumë njerëz i kundërvihen kryeministrit Vuçiç dhe politikës së tij.
"Gjithmonë do të gjejnë një dorë serbe për të kryer punët e tyre të pista, prandaj, hetimet duhen kryer dhe kryesit e veprës dhe planifikuesit duhet të arrestohen", tha ai.
Serbia është e vërshuar nga qindra mijëra armë të paligjshme, përfshirë edhe armët kundër tankiste, pushkë e mjete shpërthyese të mbetura në duart e personave privat pas luftërave në ish Jugosllavi gjatë viteve të 90-ta dhe shumë nga ato armë janë në duart e grupeve kriminale.
Ndaje me miqte