0030 210 33 18 483

Shkolla Shqipe e Korinthit festohet mbyllja e vitit shkollor

19 Qershor 2015

Sheshi qëndror i qytetit të Korinthit gumëzhin nga zërat gazmorë të nxënësve të shkollës shqipe. Ndryshe nga vitet e tjera, ceremonia e mbylljes së vitit shkollor 2014-2015 do të realizohet në një nga qendrat e argëtimit për fëmijë në qytetin turistik të Lutraqit. Pasi akomodohemi të gjithë në autobusin që na pret, nisemi drejt Sport Kamp. Me të mbërritur, shoqërohemi nga personeli i kampit për në ambjentet që ishin planifikuar ditë më parë nga stafi i mësuesve. Futemi si fillim, në sallën e aktiviteteve ku nxënësit veshin bluzat me emblemën e shkollës shqipe të Korinthit për t’u rreshtuar në skenë për shfaqjen e programit të përgatitur enkas për këtë rast. Përshëndet e para të pranishmit drejtuesja e shkollës, znj. Marinela Duri, për t’ia lënë, në vazhdim, fjalën vogëlushëve të grupit të fillestarëve të cilët nën kujdesin e mësuese Almës, prezantohen me Festën e Abetares. Ata cicërojnë me të ëmblat gërma të gjuhës shqipe, duke filluar nga A-ja e me radhë.Për çdo gërmë- nga një strofë, për çdo strofë -duartrokitje. Fytyra e mësueses shkëlqen nga kënaqësia për atë çka ka arritur gjatë këtij viti. Prindërit akoma më tepër, kur dëgjojnë fëmijët e tyre në shqip. Vazhdojmë programin me nivelin e dytë. Fëmijët nën kujdesin e mësues Artemit kanë përgatitur një pjesë teatrale “ 6 vëllezërit peshkatarë”, pjesë që ishte punuar gjatë vitit dhe ishte dëshira e tyre ta luajnë edhe për shokët e shoqet. Luan rolin e rrëfimtarit, koordinon dhe njëkohësisht udhëzon fëmijët, vetë-mësues Artemi. Ndërsa, Matilda me Zoinë, nxënëse po të këtij grupi, luajnë në vijim, pjesën “Gjyshja me Erën duke parë albumin e familjes”. Me poezinë aq kuptimplote “Shqiponja” u lënë radhën grupit të të përparuarve. Kjo është dhe surpriza e programit, jo vetëm për të pranishmit, por edhe për vetë mësuesen e tyre, Marinelën. Ata kishin pregatitur pjesën teatrale “Ani pjanistja”. Loja e tyre të jep ndjesinë e aktorëve të ardhshëm. Artikullimi pastër i fjalëve të tyre, nuk ndryshon nga ai i nxënësve të shkollave të Shqipërisë. Brenda këtij grupi ka dhe talente. Këtë e tregojnë në vijim të programit me pjesë muzikore luajtur bukur nga nxënësja, Joana Cara dhe kryesisht, me vallen Tropojane. Admirimi dhe kënaqësia duket haptazi në fytyrat e të pranishmëve. Të gjithë duartrokasin. Angjela, Maria, Efi, Antoneta, Alqi, Zefi, Olimbia, Joana, Alqi e nxënës e tjerë të këtij grupi kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe me sa duket ia kanë arritur qëllimit, gjë që i bën të mallëngjehen të gjithë: veçanërisht mësuesen e tyre, Marinelën e cila mrekullohet me këtë surprizë të këndshme. Metodat bashkohore të mësimdhënies që kjo mësuese vë në zbatim gjatë 8 viteve në shkollën tonë, sado sfiduese që të kenë qenë, po jep frytet e veta. Mësimi me në qendër nxënësin, ndërsa, mësuesin-vëzhgues/orientues, është motoja e orës mësimore për grupin e përparuar. Një foto-kujtim në fund të programit i lë vendin mësuesve të shpërndajnë sipas klasave çertifikatat e përfundimit me sukses të vitit shkollor në gj.shqipe; ato të fitores në kuizit të diturisë më 4/04/1015 si edhe fletat e lavdërimit dy nxënëseve nga grupi i përparuar që përfunduan me sukses ciklin 6 vjeçar të mësimeve në gjuhën shqipe, Maria Xhanit dhe Elfete Zekës. Kulmi i gëzimit të nxënësve në këtë aktivitet me tematikë aq domethënëse «Argëtohemi e mësojmë në natyrë», arrin me zhvillimin e lojrave popullore “tërheqje litari” dhe “gara me thes”. Gara “tensionohet” kur për çdo skuadër përfshihen edhe mësuese Marinela dhe mësuese Alma. Sigurisht në “tërheqje litari” fiton grupi i mësuese Almës. Barazojnë rezultatin në “garën me thes” grupi i mësuese Marinelës. Aktivitetet këtë të dielë nuk kanë të numëruar! Gjithashtu, si fëmijët, ashtu edhe në të mëdhenjtë nuk kemi të lodhur! Pas lojrave na duhet të vazhdojmë për në një mjedis tjetër, akoma më interesant. Gjuajtja me hark dhe shigjetë do të jetë një tjetër sfidë për të gjithë (të gjithë do të provonin...jo vetëm nxënësit). Me mbresat nga më të mirat, rreth orës 2 të drekës largohemi nga kampi.Ndahemi aty ku u takuam në mëngjes , në sheshin qendror të qytetit, me urimin PUSHIME TE MBARA E VERE SA ME TE BUKUR! Mirutakofshim në Tetor! ARTEMIS DURI, mësues i nivelit të dytë në shkollën shqipe të mësimit plotësues në qytetin e Korinthit

Ndaje me miqte