0030 210 33 18 483

Shpjegime mbi nënshtetësinë dhe lejet e qëndrimit

21 Maj 2015

Të martën, me iniciativën e ekspertit të çështjeve të emigracionit Fatos Malaj (ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të shtetasve të huaja Athinë), është zhvilluar një takim me drejtues të administratës publike greke. Qëllimi i takimit, që u zhvillua ndërsa ende drafti ndodhet në diskutim publik në portalin www.opengov.gr, ishte prezantimi dhe diskutimi i projektligjit për nënshtetësinë e brezit të dytë, por edhe një mundësi për emigrantët që të shtronin pyetjet e tyre. Në këtë takim të organizuar nga organizata e emigrantëve “AROGI”, merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteteve të emigrantëve nga vende të ndryshme, ku shumica dërrmuese ishin shqiptarë. “Vihet në vend një padrejtësi” Në fjalën e hapjes, Fatos Malaj theksoi që në fillim se me hartimin dhe votimin e draftit të ri për nënshtetësinë, vihet në vend një padrejtësi që ishte bërë në kurriz të emigrantëve të brezit të dytë. Sipas tij, projektligji ofron mjaft shanse. “Shpresoj të mos përfundojë si ligji Ragusi”, theksoi Malaj, duke revokuar ligjin e nënshtetësisë të vitit 2010, që më pas u shpall si antikushtetues nga Këshilli i Lartë i Shtetit. “Si ndërmjetës ndërkulturor jam përballur vazhdimisht me problemet e shumta që kanë emigrantët”, vazhdoi Malaj, dhe shtoi: “Por le të zgjidhim më parë çështjen e qëndrimit të ligjshëm dhe të tjerat t’i zgjidhim gradualisht”. Duke iu referuar organizimit të veprimtarisë, me titullin kuptimplotë “Solidariteti ka edhe ngjyrë, edhe zë”, Fatos Malaj tha se e gjykoi të domosdoshëm këtë takim, “të bëj atë që di të bëj mirë si ndërmjetës ndërkulturor, jo vetëm në Periferi, por edhe përmes organizatës “Arogi”, që e krijova pikërisht për këtë arsye: të ndodhet në momentin e duhur pranë emigrantit”. Në fakt, parapërgatitjet dhe ecuria e veprimtarisë treguan për një frymë të lartë përgjegjësie shoqërore, por edhe profesionalizmi, në sallën e New York College, në Kalithea, gjithçka ishte ashtu siç duhej, falë punës jo vetëm të Fatosit, por edhe të Ira Londos, Katerina Llanos, Adrian Rakipit, Petrit Selamanit, Enea Bashos. Që të gjithë e meritojnë një falënderim të ngrohtë. Ekspertët më të mirë të mbledhur në një panel Sigurisht, organizimi mi të diskutim publik në Greqi për ligjin e ri mbi nënshtetësinë, ishte një sukses për Fatos Malajn dhe njerëzit e “Arogi”-së. Por suksesi më i madh mendoj se ishte fakti që në panel u mblodhën si rrallë herë, gjithë zyrtarët dhe ekspertët më të mirë të administratës greke për emigracionin. Në panelin e drejtuar nga gazetarja Ira Londo, qëndruan krah njeri-tjetrit: Vasilis Papadhopulos, Sekretar i Përgjithshëm i Politikës së Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, Vasilis Hronopoulos, Sekretar i sektorit të të drejtave të njeriut dhe emigracionit PASOK, Angjelos Sirigos, Avokat, Pedagog i të drejtës ndërkombëtare dhe politikës së Jashtme në universitetin Pandio, ish sekretar i përgjithshëm i emigracionit në ministrinë e brendshme, Markos Papakonstantis, Avokat, Pedagog i të drejtës europiane, Ilias Hronopoulos, Drejtor i Drejtorisë së të Huajve dhe Emigracionit të Administratës së Decentralizuar, Stathis Kampuridis Drejtor i Drejtorisë për Lejet e Qëndrimit Pire dhe Ishujt, Despina Prinia, përgjegjëse e departamentit të Politikës së Emigracionit në partinë “To Potami”, Katerina Llano, Psikologe, anëtare e “Arogi”, emigrante e brezit të dytë, Kostas Mafuta, Organizata e Emigrantëve të Brezit të Dytë, “Generation 2.0”. Në sallë kishte ardhur madje edhe Aleksandros Zavos, ish president i Institutit të Politikave të Emigracionit - një tjetër shenjë kjo, e interesimit të madh që ngjalli veprimtaria, jo vetëm tek emigrantët. Përgjigje për të gjitha pyetjet Prania kaq e madhe e gjithë atyre kompetentëve ishte një rast i mirë, që shumica e emigrantëve të drejtojnë pyetje nga më të ndryshme, për problematika që kishin rezultuar nga jeta e përditshme. Sekretari i përgjithshëm i politikës së emigracionit në Ministrinë e Brendshme, Vasilis Papadopulos ishte jo vetëm i saktë, por edhe tepër i sinqertë në pozicionimet e tij. Ai madcje kërkoi ndjesë dhe mirëkuptim nga emigrantët lidhur me kufizimet e mundshme që përmban ligji, por theksoi se kjo ishte më e mira që mund të bëhej, aq më tepër që projektligji u përgatit në një mjedis përplasjesh të fuqishme sociale dhe politike me pikëpamjet ekstremiste. Gjithsesi, sekratari i përgjithshëm i politikave të emigracionit, Vasilis Papadhopulos, vuri në dukje se nënshtetësia e brezit të dytë është vetëm hapi i parë, në drejtim të përmirësimit të politikave për emigrantët, me synimin final integrimin e plotë të tyre. ai shtoi se ka filluar një diskutim në ministrinë e emigracionit, për procedurat e natyralizimit (politografisi), me qëllim që të përfitojnë nënshtetësinë edhe emigrantët e brezit të parë, nëse e dëshirojnë. Npërmjet përgjigjeve të detajuara, Papadhopulos sqaroi shumë prej dispozitave që lidhen me nënshtetësinë, por jo vetëm. Ai tha se nga një përllogaritje e shpejtë, rezulton se mund të jenë 250.000 personat që do të përfitojnë. Kështu, nënshtetësinë e marrin: -gjithë ata që kanë lindur në Greqi dhe janë regjistruar në klasën e parë fillore, -ata që kanë ardhur në moshë të njomë në Greqi dhe kanë kryer 9 klasët e arsimit të detyrueshëm, ose 6 vitet e shkollës së mesme (gjimnaz dhe Lice), -ata që kanë kryer një vit lice dhe më pas kanë përfunduar shkollën e lartë, AEI ose TEI, Papadhopulos tha se po shqyrtohet edhe mundësia që të përfshihen në dispozita edhe ata që kanë kryer vetëm shkollën e lartë. Ndërkaq, ishte i prerë për rastet kur dikush ka kryer vetëm 5 klasë shkollë, ose ka vazhduar më tej në shkolla private. Sipas tij, këto kategori nuk mund të përfitojë nga dispozitat e draftit të ri dhe do të mund të trajtohen vetëm me natyralizimin. Robert Goro

Ndaje me miqte