0030 210 33 18 483

ShqipëriPortugali Kuqezinjtë në kërkim të ëndrrës europiane

07 Shtator 2015

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të kërkojë mbrëmjen e sotme, 7 shator, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, përballë Portugalisë vazhdimin e ëndrrës për një kualifikim në kampionatin europian të futbollit, “Francë 2016”. Një vit më parë, një gol i Bekim Balajt shënonte fitoren më të madhe të futbollit shqiptar. Kombëtarja mundte falë atij finalizimi të përsosur Portugalinë dhe niste rrugëtimin e saj drejt Francës. Pavarësisht 3 pikëve në Aveiro, pak kush besonte se një vit më pas, përfaqësuesja do të kishte siguruar minimalisht një vend për në Play-Off dhe do të ishte pretendente për vendin e dytë. Më 7 shtator 2015, Shqipëria do të gjejë sërish përballë Portugalinë, për të vazhduar atë “ëndërr” që nisi në Aveiro. Në “Elbasan Arena” kuqezinjtë pas pesë ndeshjes pa humbje në grup, dhe me 11 pikë kërkojnë sërish ndaj Portugalisë një tjetër rezultat që do të afronte më pranë Francën. Këtë herë portugezët do të kenë dhe Cristiano Ronaldon, që në Aveiro nuk ishte, por përballë një përfaqësuese që ka treguar se forcën e ka te grupi, një individ i vetëm, qoftë ky dhe lojtari më i mirë i botës nuk mund të bëjë shumë. Shqipëria e di mirë se për të përsëritur një tjetër 7 shtator të lavdishëm duhet të bëjë ndeshjen perfekte, por ndeshja perfekte nuk i nevojitet vetëm Shqipërisë por dhe Portugalisë, që tashmë i sheh kuqezinjtë si një rival direkt drejt Europianit. Kombëtarja është e vetmja që i ka shkaktuar një humbje Portugalisë dhe në “Elbasan Arena” dhe këtë herë ndryshe nga Aveiro, Shqipëria do të ketë dhe një mur të tërë kuqezi, që do të ngrihet në mbështetje të saj. Në “Elbasan Arena”, do të zbresin në fushë 11 futbollistë, por me miliona zemra shqiptare do të jenë aty me ta, për të kurorzuar një tjetër 7 shtator të lavdishëm, i cili mund të jetë ai i një finishi historik për Kombëtaren Shqiptare, atë drejt Europianit. De Biasi dhe Gashi: Do të japim më të mirën Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi dhe sulmuesi Shkëlzen Gashi, dolën në një konferencë për shtyp, të organizuar në ambientet e sallës së konferencave të stadiumit “Elbasan Arena”, përpara sfidës me Portugalinë. Fillimisht foli sulmuesi i Baselit, Gashi, i cili vlerësoi kundërshtarin, por deklaroi se Shqipëria do të luajë për të marrë rezultat pozitiv. “Shpresoj që të japim të gjithë më të mirën tonë, për të arritur një rezultat, që do të kënaqë tifozët dhe do të na japë një shtysë për një renditje sa më të mirë në eliminatoret e Kampionatit Europian. Lodhja fizike ndaj Danimarkës nuk do të ndikojë”- theksoi ai. Më pas para mediave foli trajneri i Shqipërisë, De Biasi, “Kjo ndeshje është e rëndësishme për ne për tre arsye: Së pari, sepse konfirmojmë formën tonë dhe rezultatet e deritanishme, së dyti sepse jemi në fazën vendimtare të ndeshjeve kualifikuese dhe së treti, sepse luajmë ndaj një kundërshtari të madh që është edhe kryesuesi i grupit tonë eliminator.” Më pas trajneri i Shqipërisë, vlerësoi punën që ka bërë trajneri i Portugalisë me ardhjen e tij. Në lidhje me aktivizimit të Hysajt, trajneri deklaroi se ai nuk është i rikuperuar dhe nuk do të jetë në dispozicion në këtë përballje. “Për formacionin, nuk mund të flas sot sepse kam edhe disa dyshime për të cilat do të vendos, nesër paradite. Ju siguroj që do të japim më të mirën, ndaj një kundërshtari të fortë dhe me mjaft talente në skuadër”- deklaroi ai. Në fund trajneri i Shqipërisë, gjeti rastin edhe për të bërë shaka, me pyetjen në lidhje me markimin e yllit të Portugalisë Cristiano Ronaldo: “Shpresoj të verë dorën në zemër, sepse unë e kam votuar për “Topin e Artë”. Përndryshe do të votoj Mesin” - e mbylli ai, konferencën për shtyp. Gjergji Mima

Ndaje me miqte