0030 210 33 18 483

Shqipëria gati për surprizën kundër Francës

15 Qershor 2016

Plot një vit pas fitores 1-0 në miqësoren e Elbasanit (13 qershor 2015), Shqipëria përballet me Francën në një ndeshje zyrtare vendimtare, të mërkurën në mbrëmje, në stadiumin Velodrome të Marsejës. Sigurisht, francezët janë favoritë, por “Kuqezinjtë” i kanë të gjitha mundësitë që të pretendojnë më të mirën. Aq më tepër që në dy ndeshjet e fundit midis tyre (gjithsesi miqësore), francezët kanë marrë vetëm një pikë... De Biasi: “Do të tregojmë vlerat tona më të mira” Një ditë para ndeshjes me Francën, trajneri i kombëtares shqiptare, Giani De Biasi, ka vlerësuar kundërshtarin duke theksuar se mbetet një nga pretendentët kryesorë, por tha ai, Franca nuk duhet ta nënvlerësojë Shqipërinë. “Franca është një vend i madh me shumë kualitete dhe histori futbolli. Por çdo skuadër ka mënyrën e saj të të luajturit. Dhe ne do të përpiqemi të tregojmë vlerat tona më të mira. Jemi të ndërgjegjshëm, se rezultati nuk mund të arrihet pa dhënë maksimumin. Për këtë arsye duhet të ruajmë përqendrimin dhe të jemi sa më konkretë, si përpara portës, ashtu edhe në veprimet e mbrojtes”. Ndërsa u ka bërë thirrje kuqezinjëve që të jenë më të fokusuar në këtë sfidë, De Biasi është shprehur se ende nuk e ka vendosur formacionin. Ai tha se detyra e skuadrës shqiptare është që të punojë në grup, pasi është kjo karakteristikë që e ka bërë të njohur në të gjithë Europën. Sipas tij, kuqezinjtë duhet të mbrohen mirë dhe më pas të organizohen shpejt për të dalë në sulm. Sa i përket formacionit, De Biasi është shprehur se ende nuk e ka vendosur se kush do të luajë. Për sa i përket Xhakës dhe Kaçes, italiani tha se të dy lojtarët do të duhet të jenë në 100 për qind të formës në ndeshjen e të mërkurës. Deschamps: Shqipëria mund të na krijojnë vështirësi Trajneri i Francës, Didier Deschamps, i trembet Shqipërisë. Në prag të duelit të Francës me kuqezinjtë, trajneri zgjodhi të tregohet i kujdesshëm. Por, edhe pse me vlerësime për cilësitë e kombëtares tonë, drejtuesi i stolit të “gjelave” zbuloi objektivin e skuadrës së tij. “Kemi përballë një skuadër të organizuar shumë mirë. Shqipëria mbron shumë mirë, duke shfrytëzuar kundërsulmet e shpejta. Janë një skuadër mbresëlënëse përsa i takon energjive që shpenzon në fushë. Por, forca e tyre nuk është vetëm fizike apo psikologjike, Shqipëria ka edhe lojtarë cilësorë, të cilët në të kaluarën na kanë krijuar probleme. Gjithsesi, ne synojmë ta fitojmë këtë sfidë dhe ndeshjen e fundit në grup me Zvicrën, për t’u klasifikuar të parët”, tha ai. Gjatë konferencës zyrtare përpara ndeshjes, Deschamps iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve rreth zërave se mund të zgjedhë të bëjë rrotacion në formacionin titullar për të lënë pushim dy yjet e skuadrës, Pogba dhe Griezmann. “Më e rëndësishme është që të fitojmë ndaj Shqipërisë dhe jo të menaxhojmë forcat. Fituam ndeshjen e parë dhe dëshirojmë ta fitojmë edhe të dytën. Shpresoj që ndryshe nga sfida me Rumaninë, të kemi më tepër topin nën kontroll dhe të jemi më të saktë në manovrat ofensive, sepse në ndeshjen e parë e kishim të vështirë të krijonim lojë dhe të gjenim hapësira”, tha Deschamps. Didier Deschamps foli edhe për atmosferën që pret në stadiumin Velodrome të Marsejës, ku ka kaluar 5 vjet si futbollist dhe 3 si trajner. “Eshtë një stadium i vërtetë futbolli, me një atmosferë speciale dhe tifozë të zjarrtë. Do të jetë një atmosferë speciale, edhe sepse jam informuar që të pranishëm do të jenë edhe shumë mbështetës të Shqipërisë.” Formacionet e mundshme Formacionet e mundshme te ekipeve te Frances dhe Shqiperise, qe do te ndeshen ne turin e pare te Euro-2016, te merkuren ne Marseille, jane: France: Lloris (kap.) - Sagna, Rami, Koscienly, Evra - Kanté, Matuidi - Coman, Payet, Martial - Giroud Trajner: Didier Deschamps. Shqiperi: Berisha - Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli (kap.) - Roshi, Kukeli, T. Xhaka, Lenjani, Abrashi - Sadiku Trajner: Gianni De Biasi. Gjyqtar: William Collum (Skoci).

Ndaje me miqte