0030 210 33 18 483

Shuhet Ilir Luarasi legjenda e portës dinamovite

17 Janar 2018

Ish-portieri i Dinamos, Ilir Luarasi, është ndarë nga jeta në Francë, aty ku jetonte prej disa vitesh. Një nga portierët më modernë të futbollit shqiptar u largua në mënyrë të papritur nga jeta pasi nuk vuante nga ndosnjë sëmundje. Luarasi, që, në muajin mars do të mbushte 64-vjeç, njihet më së shumti në ambientin e futbollit shqiptar si një simbol i portës së Dinamos, aty ku u afrua në vitin 1976 nga Shkëndija e Tiranës. Për plot 11 vite ai ruajti portën e bluve të kryeqytetit, duke qenë pjesë e një skuadre të mbushur me “yje”, si oçlli, Sejdini, Zëri, Përnaska, Ballgjini, Targaj, Marko dhe Demollari, pa përmendur emra të tjerë. Gjatë kësaj periudhe Dinamo me Luarasin në portë si një protagonist absolut fitoi 3 tituj kampion, 2 Kupa të Shqipërisë në një periudhë kur rivaliteti ishte i madh me disa ekipe, Partizanin dhe Tiranën nga kryeqyteti, por pa harruar edhe Vllazninë, Elbasanin dhe Flamurtarin nga rrethet e tjera. Të paharrueshme mbeten paraqitjet e tij edhe në kompeticionet e UEFA-s, me skuadrën e Dinamos që regjistron një kualifikim në raundin e parë në sezonin 1985-86 ndaj Hamrun Spartans, për t’u eleminuar më pas nga Sportingu i Lisbonës me një gol të vetëm në transfertë. Pavarësisht karrierës së pasur në klubin e tij, Ilir Luarasi nuk pati një përqasje të mirë në Kombëtaren Shqiptare, duke u aktivizuar në vetëm dy takime. Ai vlerësohet së tepërmi nga kolegët dhe shokët pasi kishte një stil unik të të luajturit, ishte një portier modern i aftë ta luante në mënyrë perfekte topin me këmbë.

Ndaje me miqte