0030 210 33 18 483

Shuhet Petro Zheji kryemjeshtri i përkthimit

15 Mars 2015

Petro Zheji, kryemjeshtri i përkthimit dhe figura e njohur e linguistikës shqiptare është ndarë nga jeta të dielën, 15 mars,nga jeta në moshën 85 vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Ai është një ndër figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare duke qenë një përkthyes, studiues dhe gjuhëtar mjaft i njohur. Poliglot që e njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishtën e vjetër dhe latinishten. Ringjalla ” Tolstoit,”, ”Obllomovin ” i Goncarovit, (nga rusishtja), ”Vitet e zemërimt” të Shtajnbekut, (nga anglishtja), ”Zoti President “ dhe “Papën jeshil” të Asturiasit (nga spanjishtja), janë disa nga veprat e përkthyera prej filozofit dhe eruditit Petro Zheji, por pa harruar vëllimin e dytë të “Don Kishotit”, nga spanjishtja. Një vit më parë në Panairin e Librit, Petro Zheji, u vlerësuar me çmimin e mirënjohjes, çmim që u tërhoq nga djali i tij, publiçisti Artur Zheji. Petro Zheji realizoi pas një pune të thellë dhe të pandërprerë studimin e tij me dy vëllime “ Shqipja dhe Sanskritishtja”. I lindur në Gjirokastër më 16 tetor 1929, Petro Zheji ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave. Jeta I biri i Spiro Ballos, i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, "Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë". Petrua studion matematikë në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqërorë dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961, u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së. Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ‘to edhe Petro Zheji. Përkthime I cilësuar si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958, dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin. Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë - Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj. Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit. Vepra Atij nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërëkuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu, etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta, etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie, etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve. Homazhe Artistë, politikanë, shkrimtarë, përkthyes si dhe miq e të afërm zhvilluan të dielën homazhe në nderim të përkthyesit dhe studiuesit, Petro Zhejit, i cili u nda sot nga jeta në moshën 85 vjeçare. Në ceremoninë e lamtumirës që u zhvilluan në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta si dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Ndaje me miqte