0030 210 33 18 483

Shuhet &ldquoholandezi fluturues&rdquo. Johan Krujf nuk jeton më

24 Mars 2016

Johan Krujf (Johan Cruyff), “holandezi fluturues”, nuk jeton më. Ndërroi jetë në Barcelonë, në moshën 68 vjeç, i goditur nga kanceri i mushkërive. Lajmi i hidhur u publikua së pari në llogarinë personale të të ndjerit në Twitter, ndërsa në faqen zyrtare të internetit kumtohej si më poshtë: “Më 24 mars 2016 Johan Krujf vdiq në Barcelonë, i rrethuar nga familjarët e tij pas një beteje të ashpër me kancerin. Kërkojmë me trishtim të madh që privatësia e familjes të respektohet gjatë kohës së zisë”. Nëntorin e kaluar, asi holandez i lindur më 25 prill 1947, kishte deklaruar: Po, kam kancer. Në fillim është diçka që të befason, por duhet përballuar me gjithë qetësinë dhe fuqinë që kam”. Në mes të shkurtit, legjenda holandeze e futbollit, Johan Cruyff kishte deklaruar se e kishte fituar 2-0 pjesën e parë të ndeshjes kundër kancerit dhe besonte fort se do ta fitonte të gjithë ndeshjen kundër sëmundjes që i kishte prekur mushkëritë. Kampioni holandez ishte një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Për shumëkënd ishte i dyti pas vetëm Peles e Maradonës, pa llogaritur kampionët e sotëm si Leo Messi. Një personalitet me intelekt të fuqishëm, Krujf shënoi një epokë me Holandën dhe Ajaksin e në vazhdim në Spanjë, me fanelën e Barcelonës, ku u shndërrua në një simbol e më pas ishte dhe trainer i këtij ekipi. Si futbollist, Krujfi ishte mishërimi i “futbollit total” holandez, një stil që konsistonte në mbajtjen e topit dhe shpejtësinë, si dhe me pjesëmarrjen e gjithë lojtarëve edhe në sulm, edhe në mbrojtje. U afirmua si një nga lojtarët më të mëdhenj të botës në fillimet e viteve 1970, kur ndihmoi Ajaksin të fitojë tri kupa kampionësh rresht në 1971-1973 dhe u shpall futbollisti më i mri i botës në vitet 1971, 1973 dhe 1974. Tranferimi i tij te Barcelona shënoi një rekord botëror sa i përket vlerës prej 2 milionë dollarësh dhe kur më pas, klubi i kuq e bluve i mundësoi të vazhdonte karierrën si trainer i Barcës, katalanasit rifituan titullin kampion pas pothuaj 15 vjetësh (4 tituj njeri pas tjetrit në periudhën 1991-1994). Ishte gjithashtu një nga faktorët e paraqitjes së shkëlqyer të Holandës në Botërorin 1974, ku realizoi atë që ka mbetur në leksikun e futbollit si “kthesa e Krujfit” (një xhonglim i pabesueshëm i topit), në ndeshjen kundër Suedisë. Platini: Cruyff lojtari më i mirë i të gjitha kohërave Johan Cruyff ishte lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, deklaroi sot ish-sulmuesi i njohur francez, Michel Platini pas njoftimit për vdekjen e legjendës holandeze të futbollit, pas një kanceri në mushkëri. “Humba një mik, bota humbi një njeri të madh, e admiroja, ishte lojtar i jashtëzakonshëm, ishte më i miri i të gjitha kohërave”, tha Platini, tri herë fitues i Topit të Artë. Tribuna

Ndaje me miqte