Sondazhet: Rënie konstante e qeverisë Tsipras rritje e kuotave të opozitës
TRIBUNA
04 Tetor 2016
Kryeministrit grek Aleksis Tsipras i është shtuar edhe një kokëçarje tjetër, teksa sondazhet e fundit paraqesin në mënyrë konstante një rënie drastike të popullaritetit të qeverisë.
Nga ana tjetër, sondazhet regjistrojnë rritjen në progresin gjeometrik të preferencës së qytetarëve ndaj partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re.
Qeveria është përpjekur të nënvleftësojë gjetjet e sondazheve, duke i cilësuar si të paafta kompanitë e gallupeve. Mirëpo treguesit e pakënaqësisë popullore janë publikuar madje edhe nga organi partiak i SYRIZA-s në pushtet, e përditshmja Avgi.
Sondazhi i kryer për llogari kësaj gazete, ka rezultuar se vetëm 14% e qytetarëve vlerësojnë si më të mirë një qeverisje të SYRIZA-s me grekët e Pavarur, siç është koalicioni aktual që drejtohet nga Aleksis Tsipras.
Në krahun tjetër, 45% e të anketuarve vlerësojnë se më e mirë për vendin do të ishte një qeveri e konservatorëve të Demokracisë së Re.
Në kuota rekord, 90% ka rezultuar pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisë Tsipras.
Ky i fundit ndodhet shumë mbrapa edhe në krahasim me rivalin e vet, shefin e opozitës Mitsotakis, kur shtrohet pyetja se cili konsiderohet kryeministër më i mirë. Ndërkaq, 32% e qytetarëve nuk preferon asnjerin prej të dyve.
Të njëjtit tregues pak a shumë, ka nxjerrë edhe sondazhi që publikohet të martën në të përditshmen Kathimerini.
Sondazhi tregon që, në rast se zgjedhjet zhvilloheshin menjëherë, ato do të fitoheshin nga Demokracia e Re, me një diferencë prej 12,5% nga SYRIZA.
Në një gjetje interesante, më shumë se 70% e atyre që votuan SYRIZA-n në zgjedhjet e vitit të kaluar, shprehen se janë të pakënaqur nga performanca e qeverisë. Ndërsa gati gjysma e votuesve të SYRIZA-s vlerësojnë se qeveria Tsipra-s nuk mund të ofrojë gjë për vendin.
Ndaje me miqte