Sondazhi 15 njësi avantazh për Demokracinë e Re
TRIBUNA
11 Dhjetor 2016
Sondazhi më i fundit, i publikuar të dielën ne Greqi, rezulton me një avantazh prej 15 njësish për Demokracinë e Re të opozitës. Analistët shënojnë që nëse i fiton zgjedhjet me një rezultat të tillë, partia e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis mund të qeverisë e vetme, pa qenë nevoja për koalicion me ndonjë force tjetër politike.
Në sondazhin e kryer për llogari të gazetës Proto Thema, SYRIZA merr vetëm 15,1% të preferencës së elektoratit, ndërsa partia më e madhe opozitare, pra Demokracia e Re, i rrit ndjeshëm kuotat e veta, duke marrë 30,5%. Pason Agimi i Artë dhe partia Komuniste me 6,7%, PASOK 5,26%.
Sipas rezultateve të sondazhit, asnjë prej partive të tjera nuk arrin të kapë 3 për qind që është dhe caku i përfaqësimit në parlament.
Një tjetër gjetje është se 59,3% e atyre që votuan SYRIZA-n në zgjedhjet e shtatorit 2015, thonë tani se nuk kanë për ta hedhur votën për partinë e Aleksis Tsipras.
Në pyetjen “si e gjykoni ecurinë e deritanishme të qeverisë”, 83,4% përgjigjet negativisht dhe vetëm 15,1% e vlerëson si pozitive punën e qeverisë Tsipras.
Ndërkaq, krejt të ekuilibruara janë opinionet në përgjigje të pyetjes që a do të ishin më mirë gjërat nëse ndodhej në pushtet një qeveri e Demokracisë së Re: 32,2% përgjigjet se do të ishte thuajse njëlloj; 34,8% thonë se do të ishte më mirë dhe 30,4% thonë se do të ishte më keq...
Ndaje me miqte