Stamboll 39 të vdekur pas sulmit terrorist në një klub nate
TRIBUNA
01 Janar 2017
Të paktën 39 persona kanë vdekur dhe 65 të tjerë janë plagosur pas sulmit terrorist në një klub nate në Stamboll, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency.
Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Suleyman Soylu ka dhënë detaje mbi sulmin terrorist të ndodhur në këtë klub.
“Sipas informacioneve që kemi marrë nga forcat e sigurisë, ka pasur një sulmues. Nuk ka pasur më shumë se një. Një person i veshur me xhup ka hyrë brenda duke hapur zjarr mbi njerëzit e ndodhur aty. Ndërkohë është munduar të dalë jashtë me një tjetër veshje. Vlerësimi i këtyre informacioneve nga ana e forcave të sigurisë vazhdon. Puna e policisë për kapjen e autorit është duke vazhduar”, deklaroi Soylu.
“Në këtë sulm është bërë një masakër. Ky sulm është çnjerëzor. Deri më tani 39 njerëzit tanë kanë humbur jetën, identiteti i 20 prej të cilëve është mësuar. Nga këto 15 janë të huaj dhe pesë janë shtetas të Turqisë”, shtoi ai.
Sulmi terrorist në një diskotekën “Reina” në Stamboll, në të cilën festohej Vitin e Ri, ka ndodhur në orën 01:15. Një sulmues i panjohur fillimisht vrau policin, i cili po qëndronte në hyrje të klubit, dhe më pas vrau edhe një person tjetër dhe hyri brenda, ku hapi zjarr në drejtim të të pranishmëve.
Sipas disa të dhënave në klub në kohën e sulmit ishin 700 të ftuar.
Mediet turke thanë se të paktën një sulmues i armatosur kishte hyrë në klubin që ndodhet në lagjen Ortakoy, i veshur si babagjyshi i Viti të Ri.
Masat e sigurisë ishin shtuar në qytetet më të mëdha turke pas sulmeve terroriste të muajve të kaluar.
Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.
Një grup militant kurd kishte marrë mbi vete përgjegjësinë.
Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la pas vetes 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll.
Ndaje me miqte