Statusi i Ramës për Akropolin reagim i ashpër nga mediat dhe diplomacia greke
TRIBUNA
02 Nentor 2016
Mediat greke kanë reaguar mjaft ashpër ndaj statusit të fundit në Facebook të kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar në të njëjtën kohë që Athina të ndryshojë qëndrim ndaj Tiranës.
Rama postoi të hënën një gravurë të Akropolit, duke e ndërlidhur me faktin se popullsia autoktone e kryeqytetit grek ishte shqiptare.
“Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme”, shkruan Rama.
Kryeministri e ndërlidh këtë fakt me ragimet greke për Himarën, duke vënë në dukje që “nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si "lingua franca" të Orientit, ... një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke”.
Mediat greke e cilësojnë këtë status të Ramës si “një mainfestim pa precedent arrogance” dhe “nacionalizmi ekstrem”. Sipas tyre, akte të tilla “synojnë që t’i fryjnë edhe më shumë zjarrit që kanë ndezur në marrëdhëniet greko-shqiptare pretendimet e papranueshme për çamët dhe përpjekjet për shkombëtarizimin e Himarës me rrëmbimin e pasurive dhe shembjen e shtëpive”.
Disa prej komenteve të mediave greke, insistojnë se “lëvizjet e fundit të Tiranës duhet ta detyrojnë udhëheqjen politike greke që ta kuptojë se është emergjent ndryshimi i qëndrimit të deritanishëm”. Qëndrim që sipas tyre “Thjesht ka ushqyer dhe inkurajuar çdo lloj elementi antigrek në Tiranë, që shtroi qoftë dhe në mënyrë të tërthortë çështjen çame”.
Siç konstatohet edhe nga statusi i zotit Rama, “idetë ekstreme të nacionalizmit shqiptar që synojnë kryesisht kundër Greqisë, kanë tendencën që të dominojnë në politikën shqiptare”, konkludojnë mediat greke.
MPJ greke: “Koncept i gabuar për historinë”
Ministria e jashtme greke ka reaguar me një deklaratë tjetër, pasi nga selia e diplomacisë shqiptare në Tiranë, ishte deklaruar të hënën se Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
“Institucionet zyrtare shqiptare nuk mund të pretendojnë se të drejtat e minoritetit janë të respektueshme në gjithë territorin shqiptar, të njëjtin moment që i shkelin në praktikë këto të drejta, duke minuar kursin europian të Shqipërisë”, thuhet qysh në fillim të deklaratës së ministrisë së jashtme greke, publikuar të martën në mesditë.
Hartuesit e deklaratës janë ndalur në faktin se njoftimet për shembjen e banesave iu dorëzuan personave që kanë që të gjithë origjinë greke. “Eshtë një metodë që çon në konkluzionin se ekziston një plan për anashkalimin e të drejtave të minoritetit grek”, vihet në dukje në deklaratë.
Ministria e jashtme greke i referohet indirekt edhe statusit të kryeministrit Edi Rama.
“Udhëheqja shqiptare ngatërron konceptin e gabuar që ka për historinë me angazhimet e Shqipërisë, që burojnë nga e drejta ndërkombëtare dhe standardet europiane, për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit.
“Deklaratat e djeshme të zyrtarëve shqiptarë sjellin ndër mend logjika të vjetëruara, që bien direkt ndesh me standardet në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në shtetet moderne, demokratike dhe europiane”, përfundon deklarata e ministrisë së jashtme greke.
Ndaje me miqte