Steinmeier: Situata aktuale më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë
09 Tetor 2016
Situata aktuale është më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë, deklaroi sot kreu i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier për të përditshmen ”Bild”, ndërsa tensionet janë në rritje midis SHBA-së dhe Rusisë.
“Eshtë iluzion të besosh se bëhet fjalë për ish-Luftën e Ftohtë. Periudha e tanishme është më ndryshe, shumë më e rrezikshme”, deklaroi ministri gjerman i Punëve të Jashtme për të përditshmen më të lexuar në vend.
“Rreziku i një përballje ushtarake është i konsiderueshëm”, pohoi ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili ka patur funksionin e ndërmjetësit të OSBE-së për Ukrainën, cituar në të njëjtin artikull.
”Rreziku nuk ka qenë kurrë në këto përmasa prej dekadash dhe besimi midis Perëndimit dhe Lindjes kurrë më parë kaq i ulët”, thekson ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan në fillim të javës bisedimet e tyre me Rusinë mbi armëpushimin në Siri duke akuzuar dje Moskën dhe Damaskun për krime lufte në Alepo.
Ndaje me miqte