0030 210 33 18 483

Sulm me granatë në ambasadën franceze në Athinë

TRIBUNA 10 Nentor 2016

Ambasada franceze në Athinë është goditur nga një granatë dhe nga shpërthimi është plagosur një polic. Ngjarja ka ndodhur në orën 04,45 të mëngjesit të së enjtes. Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policie dhe të njësisë antiterror. Ata po marrin deponime nga dëshmitarët okularë, ndërsa do të shqyrtohen edhe filmimet nga kamerat e sigurisë. Një nga rrugët më kryesore të kryeqytetit, Vasilisis Sofias, si dhe ajo Akademias kanë mbetur për shumë orë të bllokuara për qarkullimin e automjeteve. Ambasada franceze ndodhet në qendër të Athinës, në zonën më të mbrojtur, përballë parlamentit dhe në krah të ministrisë së jashtme greke. Sipas policisë, dy persona që ndodheshin mbi një motoçikletë, e hodhën granatën që shpërtheu në portën kryesore të ambasadës. Si rezultat mori plagë të lehta polici që ndodhej në kabinën e shërbimit, ndërsa agresorët u larguan me shpejtësi në drejtim të paditur. Pak më vonë një motoçikletë që rezultoi se ishte e vjedhur, u gjet disa qindra metra larg vendngjarjes. Policia po heton nëse ka lidhje me dy atentatorët. Burime të policisë thanë për mediat se shenjat e para tregojnë që hedhja e granatës ishte një akt terrorist, por theksojnë se duhet pritur përfundimi i hetimeve. Greqia ka një histori të pasur me atentate guerrile, si të shtëna me armë apo sulme me bomba kundër objekteve qeveritare, diplomatike apo kompanish biznesi, kryesisht të huaja. Sulmi i sotëm ka shkaktuar alarm në radhët e autoriteteve greke, pasi shënohet në kohën që janë rritur masat e sigurisë, vetëm pesë ditë para mbërritjes në Athinë të presidentit amerikan Barack Obama.

Ndaje me miqte