0030 210 33 18 483

Takim Rama Tsipras në Bruksel: Të zgjidhim mosmarrëveshjet ekzistuese

Tribuna 25 Maj 2017

Kryeministrat e Shqipërisë dhe të Greqisë, Rama e Tsipras, kanë nënvizuar natyrën dhe rëndësinë strategjike të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe rolin e miqësisë mes të dy popujve si urë paqeje e stabiliteti ne mbarëvajtjen e integrimit euro-atlantik të rajonit. Edi Rama dhe Aleksis Tsipras u takuan në kuadër të Samitit të NATO-s në Bruksel. Në takim morën pjesë dhe dy ministrat e jashtëm Bushati dhe Kotzias. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Rama e Tsipras diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën mbështetjen e tyre ndaj iniciativës së dy Ministrave të Jashtëm për një mekanizëm konsultimesh intensive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e trashëguara nga e kaluara si dhe për nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve. Palët nënvizuan rolin e posaçëm të komunitetit shqiptar në Greqi, si dhe vlerësuan hapat e rëndësishme të ndërmarra për integrimin social dhe ekonomik të shqiptarëve në Greqi. Kryeministri Rama theksoi nevojën e përparimit drejt gjetjes së zgjidhjeve për mosmarrëveshjet ekzistuese midis dy vendeve, në respekt të praktikave më të mira europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare. “Greqia na ka mbështetur dhe dëshirojmë që të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Rama. Kryeministri Tsipras shprehu mbështetjen e fortë të Greqisë ndaj reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri si dhe rëndësinë që ai i kushton respektimit të të drejtave të pakicës greke në vendin tonë. Palët ranë dakord se vetëm gjetja e zgjidhjeve konkrete me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të dy popujve do të forcojë mirëbesimin midis dy shteteve dhe do të na largojë nga retorikat konfliktuale e ngërçet e së shkuarës. Pala greke: ?farë i tha Tsipras Ramës Takimi Tsipras - Rama është përcjellë me një njoftim lakonik nga agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA. Agjencia citon burime qeveritare pjesëmarrëse në takim. Sipas këtyre burimeve, Tsipras i ka theksuar Ramës rëndësinë që Athina i jep stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës europiane të vendeve të rajonit. Burimet gjithashtu kanë shtuar se Tsipras ka theksuar që retorika dhe praktikat nacionaliste në të gjithë rajonin duhet të kapërcehen, në dobi të parimeve demokratike dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare. Sipas agjencisë, ky ka qenë takimi i vetëm i programuar i kryeministrit grek, ndërkohë që Tsipras ka pasur kontakte të shkurtra edhe me homologë të tjerë.

Ndaje me miqte