Takim TsiprasMerkel në Londër
05 Shkurt 2016
Qëndrimin se mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të kreditorëve nuk duhet të bëhen shkak për vonesa në inspektimin e programit të Greqisë, ka theksuar kryeministri grek Aleksis Tsipras në takimin që zhvilloi me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Takimi u zhvillua të enjten, në kuadër të konferencës ndërkombëtare për Sirinë, që u mbajt në Londër.
Sipas burimeve pranë kryeministrit, që citon agjencia greke ANA-MPA, Tsipras e informoi kancelaren gjermane mbi elementët pozitivë që paraqet ekonomia greke dhe që krijojnë një kuadër i cili ofron mundësi që Greqia të kalojë në një kurs pozitiv zhvillimi. Tsipras përmendi, ndër të tjera, rritjen e të ardhurave tatimore, thithjen në masën 97% të fondeve europiane, faktin se brenda vitit 2015 u krijuan 170.000 vende të reja pune, se u realizua me sukses rikapitalizimi i bankave greke dhe se po avancojnë marrëveshje në fushën e energjisë që mund ta shndërrojnë Greqinë në një nyje energjitike.
Lidhur me reformën e sistemit të pensioneve, Tsipras përshkroi ofertën e qeverisë si një ofertë që është brenda kuadrit të marrëveshjes me kreditorët dhe nënvizoi se nuk duhet të ketë vonesa, pasi propozimi grek ndodhet në duart e kreditorëve që nga fillimi i vitit. “Nuk e kuptoj se përse ka vonesa”, tha Tsipras, sipas të njëjtave burime dhe theksoi se “mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve nuk duhet të bëhen shkak për vonesa në inspektimin “e programit. “Askush nuk mund të pretendojë se ka problem kredibiliteti me Greqinë”, shtoi, duke nënvizuar se nuk ka asnjë arsye për vonesa.
Sipas burimeve, kancelarja Merkel e pyeti kryeministrin Tsipras për situatën e brendshme, politike dhe sociale, nisur edhe nga fakti se takimi u zhvillua ndërsa mijëra e mijëra qytetarë grekë po protestonin në kuadër të grevës së përgjithshme 24 orëshe.
Sa i përket çështjes së refugjatëve, burime qeveritare sqaruan se ajo që kërkon zonja Merkel është që të kenë përfunduar deri më 18 shkurt (kur do të mbahet samiti i radhës i BE), të ketë përfunduar krijimi pikave të identifikimit të refugjatëve (hot spots). Qeveria ka deklaruar me forcë se deri atëherë do t’i ketë realizuar angazhimet e veta. Ajo që thekson qeveria dhe që pajtohen edhe bashkëbiseduesit e saj, është që të avancohet menjëherë në implementimin e planit të aksionit (action plan) midis BE dhe Turqisë. Gjithashtu Athina kërkon zbatimin e plotë të protokollit të ripranimit ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, si dhe zbatimin e programit të rivendosjes (relocation) së refugjatëve në vende të tjera europiane, çka po bëhet me ritme jashtëzakonisht të ngadalshme.
Tribuna
Ndaje me miqte