0030 210 33 18 483

Takim dypalësh në Kakavijë masa të përbashkëta për përballimin e fluksit

Tribuna 13 Mars 2017

Drejtori i Pergjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza dhe homologia e tij greke Zacharoula Tsirigoti, inspektuan të shtunën pikën e kalimit të Kakavijës për masat e përbashkëta në prag të fluksit të pritshëm të festës së Pashkëve. “Greqia është vend i BE dhe një vend që zbaton marrëveshjen e Shengenit. Qëllimi i takimit të sotëm dhe disa takimeve të mëparshme mes autoriteteve greke dhe shqiptare është njohja e problemeve dhe gjetja e mekanizmave për të përmirësuar aspekte të caktuara të bashkëpunimit. Gjatë inspektimit në palën greke ne do të njihemi edhe një herë me kriteret e hyrjes në Greqi sipas marrëveshjes së Shengenit dhe do të shohim së bashku çfarë mund të përmirësojmë në praktikën e përpunimit të dokumentacionit për qytetarët shqiptarë. Unë nga Athina dhe kolegu im nga Tirana jemi të gatshëm të takohemi sa herë të jetë e nevojshme për të arritur nivelin e synuar të bashkëpunimit”, tha Zacharoula Tsirigoti, drejtore e policisë kufitare greke. Kreu shqiptar i Kufirit dhe Migracionit tha se policia shqiptare është e përgatitur të përballë fluksin e pritshëm për Pashket dhe të dy palët janë të angazhuara për të punuar së bashku edhe për sfidat e tjera që kërkon menaxhimi i kufijve, ndalimi i personave të kërkuar prej Interpolit apo parandalimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve. Duke iu referuar rasteve të kapjes së lëndëve narkotike, Merepeza tha se sasia e kapur nga të dy palët është e konsiderueshme dhe flet për nivelin e lartë të bashkëpunimit mes policive tona. “Ne punojmë bashkë për të luftuar të keqen. Bashkë do inspektojmë dy pikat e kalimit në të dy anët e kufirit për të dhënë mesazhin që të dyja policitë do të jenë në shërbim të qytetarëve për të patur një kalim të qetë në pikat e kalimit për të lehtësuar procedurat që të mos vonohen shumë në radhë, duke pasur parasysh se kemi para festat e pashkëve dhe sezonin veror”, tha Genc Merepeza.

Ndaje me miqte