Takimi i Athinës platformë e përbashkët për nxitjen e zhvillimit ekonomik në Europën Jugore
TRIBUNA
10 Shtator 2016
Krerët e vendeve të Jugut të BE-së, që u takuan në Athinë, kanë rënë dakord mbi një platformë të përbashkët që nxit rritjen ekonomike, një Europë sociale si dhe një ndarje të drejtë të ngarkesës migratore.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të forcohet koordinimi dhe bashkëpunimi i shteteve mesdhetare anëtare të BE-së, në prag të samitit informal të Bratislavës, më 16 shtator. Nga ky samit do të kërkohet prej liderëve të jugit të Europësqë të përfshihet optika mesdhetare në axhendën europiane dhe në zhvillimin e një vizioni të ri europian për përballimin e sfidave të përbashkëta me të cilat ndeshen shtetet anëtare dhe Bashkimi Europian në fushat e ekonomisë, të emigracionit dhe të sigurisë.
Ndërkohë që minisamiti i tyre ka ngjallur shqetësimin e përkrahësve të ortodoksisë buxhetore, në vend të parë ministri gjerman të Finacave, Wolfgang Schauble, ata theksuan vullnetin e tyre për të punuar për kohezionin e Europës dhe jo ndarjen e saj në blloqe.
“Ishte e rëndësishme në këtë moment vendimtar pas Brexit, ndërkohë që populistët dhe ekstremistët shpresojnë që Evropa të shpërbëhet, që ne të dërgonim një mesazh uniteti, kohezioni dhe për të sjellë kontributin e Evropës së jugut në BE”, theksoi presidenti francez në përfundim të takimit.
“Vendet që merrnin pjesë (Greqia, Franca, Italia, Portugalia, Spanja, Qiproja dhe Malta) miratuan një “Deklaratë të Athinës”, njoftoi kryeministri grek, Aleksis Cipras, iniciator i këtij takimi.
Përveç kryeministri grek, në takimin e Athinës morën pjesë: presidenti francez Francois Hollande, presidenti i Qipros, Nikos Anastasiadis, kryeministri italian Matteo Renzi, kryeministri i Maltës Joseph Muscat, kryeministri i Portugalisë Antonio Costa dhe përfaqësuesi i kryeministrit në detyrë të Spanjës, ministri i çështjeve europiane, Fernando Eguidazu Palacios.
Deklarata e Athinës
Në Deklaratën e miratuar nga liderët e vendeve mesdhetare, theksohet se Europa duhet të respektojë angazhimin për prosperitet dhe drejtësi sociale, me mbrojtjen e modelit shoqëror.
Liderët propozojnë dyfishimin e paketës Juncker për zhvillimin ekonomik (nga 35 në 70 miliardë euro), si dhe promovimin e projekteve investuese në vendet anëtare me nivele të larta të papunësisë, por edhe luftimin e evazionit fiskal.
Liderët bëjnë një referim të veçantë në problemet me të cilat përballet brezi i ri në Europë, me të parin fare papunësinë.
Sa i përket çështjes së migracionit, në Deklaratë nënvizohet se ruajtja e kufijve të jashtëm të BE-së duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe europiane, ndërsa theksohet se racizmi dhe ksenofobia nuk mund të tolerohen.
Deklarat kërkon nga Bashkimi Europian që të ushtrojë një politikë të kompletuar për emigracionin.
Në fund, bëhet e ditur se takimi i dytë i vendeve mesdhetare anëtare të BE-së do të zhvillohet në Portugali.
Ndaje me miqte