0030 210 33 18 483

Takimi i Eurogrupit zhgënjen pritshmëritë e Athinës mbyllet pa marrëveshje për këstin e kredisë dhe borxhin

Tribuna 23 Maj 2017

Takimi i ministrave të financave të eurozonës, ka qenë zhgënjyes për pritshmëritë e Athinës. Takimi, që përfundoi pas mesit të natës, nuk konkludoi në një marrëveshje, as për disbursimin e këstit të kredisë dhe as për lehtësimin e borxhit publik grek. Tashmë, marrja e vendimeve i është lënë takimit të radhës, që do të mbahet më 15 qershor. Gjithsesi, presidenti i Eurogrupit (vendeve anëtare të eurozonës), Jeroen Dijsselbloem, vuri në dukje “progresin kolosal” që ka shënuar Greqia. “Eurogrupi mirëpret zbatimin e masave dhe të reformave që janë dakorduar”, theksoi Dijsselbloem, duke folur në konferencën për shtyp. Ai përshëndeti edhe progresin e arritur në nivel politik për çështjen e borxhit grek. “Jemi shumë afër një marrëveshjeje totale, por kjo nuk ishte e mundur sot”, shtoi shefi i eurozonës dhe vlerësoi se deri më 15 qershor do të jenë pjekur kushtet për arritjen e marrëveshjes. Progresin e arritur e përshëndeti edhe Klaus Regling, kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), që është dhe financuesi kryesor i programit të shpëtimit të Greqisë. Mirëpo Regling tërhoqi vëmendjen se nuk mbetet shumë kohë për marrëveshjen, pasi në korrik maturohen një sërë obligacionesh greke dhe Athina duhet t’i shlyejë patjetër ato. Prandaj ka aq shumë nevojë për këstin me vlerë 7,5 miliardë euro, që priste të çlirohej në takimin e djeshëm. Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, deklaroi pas takimit se Greqia e ka bërë detyrën e vet dhe se tashmë ishte radha e FMN dhe e vendeve anëtare të eurozonës të konkludojnë në një kompromis për lehtësimin e borxhit grek. Megjithëse kjo temë zuri vendin më të madh në diskutime, u krijua ndjesia se nevojitet më shumë punë deri në arritjen e marrëveshjes, tha ministri grek. Tsakalotos shtoi se të gjitha palët konsiderojnë që gjuha e përbashkët është e mundur të gjendet brenda tri javëve të ardhshme, deri në takimin e radhës të Eurogrupit, më 15 qershor. Kundërshtimet e Berlinit për lehtësimin e borxhit grek Gjatë takimit të ministrave të financave të eurozonës, nuk ka qenë e mundur të sheshohen mosmarrëveshjet ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schauble. Berlini deklaron vazhdimisht se nuk do të ketë asnjë ulje borxhi për Greqinë. “Gjermania nuk ka për të pranuar asnjë ulje të borxhit grek, as zgjatje të afatit të shlyerjes, dhe as blerje të kredive nga FMN dhe ESM (Mekanizmi Europian i Stabilitetit), deklaroi zëdhënësi i ministrit Schauble. “Nuk ekzistojnë plane të tilla apo të tjera, për reduktimin e borxhit të Greqisë”, shtoi zëdhënësi. Mirëpo partneri i kancelares Merkel në koalicionin qeveritar, ministri i jashtëm Zigmar Gabriel, ishte kritik ndaj qëndrimit të zotit Schauble. “Greqisë i është premtuar vazhdimisht e vazhdimisht reduktimi i borxhit. Tani duhet të mbajmë premtimin tonë dhe kjo nuk duhet të dështojë për shkak të kundërshtimit gjerman”, deklaroi Gabriel për gazetën Sueddeutsche Zeitung. Gabriel citohet nga agjencia Reuters të ketë deklaruar se Fondi Monetar ndërkombëtar dhe shumica e vendeve anëtare të eurozonës, janë të gatshëm të adoptojnë masa për lehtësimin e borxhit të Greqisë. Borxhi publik i Greqisë vlerësohet aktualisht në më shumë se 318 miliardë euro, ose 174,8% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Qeveria Tsipras e ka shndërruar këtë çështje në një kauzë madhore, pasi mendon që shifrat tepër të mëdha e borxhit përbëjnë pengesën kryesore për daljen e vendit nga kriza.

Ndaje me miqte