Të gjithë e ndërruan orën përveç Turqisë
ANSA
02 Nentor 2016
Stambolli, si Moska dhe si Riadi. Ora shndërrohet në boshtin e ri të referimit të Turqisë së Recep Tayyip Erdoganit.
Ndërsa në mesnatën mes së shtunës dhe së dielës që sapo lamë pas, ashtu si çdo vit, në shumicën e vendeve evropiane akrepat u kthyen pas për një orë, në Turqi nuk ndryshoi asgjë.
Ashtu siç njoftoi pas dështimit të grushtit të shtetit, Ankaraja vendosi të mbajë orën zyrtare për të gjithë periudhën e vitit.
Një zgjidhje e motivuar zyrtarisht me qëllimin për të kursyer energji.
Por, pasojat e mundshme politike dhe tregtare nuk kanë kaluar pa u vënë re.
Shumë komentatorë politikë kanë nënvizuar me këtë rast se rivendosja e miqësisë me Rusinë e Vladimir Putinit si edhe miqësia jo më pak simbolike me botën islamike sunite, pikërisht me Arabinë Saudite do të ketë efekte të menjëhershme, sidomos në planin ekonomik.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme, Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar i Turqisë.
”Diferenca prej një ose dy orësh me pjesën më të madhe të vendeve anëtare të BE-së kërcënon vështirësimin e punës së eksportuesve dhe importuesve si edhe të atyre që merren me transaksionet financiare”, thonë analistët.
Një pasojë e parë sapo e ka prekur botën e futbollit.
Ashtu siç ndodh shpesh në Rusi, UEFA vendosi t’i zhvillojë më shpejt ndeshjet e Champions League që do të zhvillohen tani në Turqi, që do të thotë në orën lokale 18:45 (20:45 në Evropë).
Duke i lënë simbolet në njërën anë, ky tranzicion nuk ka qenë i lehtë për turqit.
Ashtu si vitin e kaluar, kur rifutja në përdorim e orës diellore u shty me dy javë, me qëllimin e deklaruar për të mos ndikuar në zgjedhjet e 1 nëntorit, edhe këtë herë mosndryshimi i orës u shndërrua në një kokëçarje për shumë qytetarë.
Pavarësisht njoftimit një muaj e gjysmë përpara, shumë dispozitiva digjitale, mes tyre edhe Apple, spostuan pas automatikisht akrepat e orëve të tyre duke shkaktuar konfuzion te të gjithë përdoruesit.
Ndaje me miqte