Autoritetet thonë se 17 persona kanë humbur jetën në një shkollë të mesme në Floridën jugore dhe se personi që dyshohet se qëlloi me armë zjarri është arrestuar. Policia u vu në alarm pas të shtënave brenda shkollës Marjory Stoneman Douglas në Parkland, që ndodhet në një zonë të qetë nënurbane në veriperëndim të qytetit Fort Lauderdale, dhe nisi kërkimin për personin e armatosur, ndërkohë që dhjetra nxënës e mësues qëndronin të ngujuar brenda klasave. 12 veta u vranë brenda shkollës ndërsa 3 të tjerë jashtë saj. Dy persona vdiqën në spitalet e zonës. Të shtënat filluan menjëherë pas mbarimit të mësimit. Policia njoftoi se e kishte arrestuar personin e dyshuar, i cili është identifikuar me emrin Nicolas Cruz. Zyrtarët thanë se nuk kishin qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund të ishte bërë para ngjarjes. Policia dhe punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan zonën dhe pamjet televizive tregonin nxënësit që dilnin nga klasat duke u larguar me të shpejtë nga vendi i ngjarjes. Presidenti Trump dërgoi përmes Twitterit ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. "Asnjë fëmijë, mësues apo çdokush tjetër nuk duhet të ndihet kurrë i pasigurtë në një shkollë amerikane," shkruante ai.