Tensione në Katalonia ndërsa rajoni votoi mbi pavarësinë
Zëri i Amerikës & Tribuna
02 Tetor 2017
Përpjekjet e qeverisë spanjolle për të bllokuar një referendum rajonal mbi pavarësinë e Katalonias, kanë përfunduar në dhunë pasi policia mbylli vendvotime dhe konfiskoi kutitë e votimit, pavarësisht rezistencës nga votuesit në të gjithë rajonin.
Sipas zyrtarëve katalanas, më shumë se 761 njerëz janë duke u trajtuar për dëmtime të shkaktuara nga oficerët e policisë spanjolle në përleshjet që po intensifikohen.
Zëvendëskryeministrja spanjolle Soraya Saenz de Santamaria tha të djelën në Madrid, se “nuk është mbajtur referendum apo diçka që i ngjason një referendumi”. Ajo tha se heqja e lidhjeve të internetit të zyrës rajonale të regjistrimit nga policia ka neutralizuar çdo aftësi për të formuluar rezultatet e votimit.
Por zëdhënësit e qeverisë rajonale katalanase që kërkuan mbajtjen e votimit, thonë se 73 për qind e vendvotimeve janë të hapura dhe teknikët e tyre po përpiqen të rregullojnë linjat e prera të internetit.
Një zyrtar katalanas i lidhur me komisionin rajonal të zgjedhjeve që dha dorëheqjen javën e kaluar nën kërcënimet e qeverisë për gjoba masive, tha se rezultatet e votimit do të shpallen pas mesnatës ose dikur të hënën.
Personi, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, thotë se votat do të numërohen fizikisht dhe rezultatet do të njoftohen nga një bord i posaçëm zgjedhor të formuar nga “ekspertë dhe akademikë”.
Ministri i Brendshëm spanjoll Juan Ignacio Zoido thotë se përpjekjet për të legjitimuar votimin e së djelës janë një “parodi”.
Dhuna shpërtheu herët të djelën kur policia e pengoi presidentin e qeverisë rajonale katalane, Carles Puigdemont, që të votonte në distriktin e tij të Geronës. Puigdemont u filmua më pas duke votuar në një vendvotim tjetër. Autoritetet katalanase u kërkuan votuesve të hedhin votat në çdo vendvotim të hapur që ata mund të gjejnë. Në disa raste njerëzit kanë hedhur vota në kutitë e votimit të vendosura në rrugë.
“Shteti spanjoll ka penguar katalanasit që të ushtrojnë të drejtat e tyre, duke i dhënë një imazh të tmerrshëm Spanjës” u tha Puigdemont gazetarëve.
Zyrtarët e policisë spanjolle thonë se janë të zhgënjyer nga forcat policore rajonale të Katalanasve, të cilët i kishin siguruar ata se nuk do të lejonin hapjen e qendrave të votimit.
Partia kryesore opozitare, PSOE e cila në fillim mbështeti politikën e ashpër të qeverisë konservatore ndaj shkëputjes katalane, i bëri thirrje kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy dhe Puigdemont të jepnin dorëheqjen dhe të organizonin zgjedhje të reja.
Në shenjë proteste kundër përpjekjeve të qeverisë qendrore për të ndërprerë referendumin, skuadra e futbollit të Barcelonës anuloi një ndeshje me një ekip tjetër spanjoll, sepse ekipi tjetër njoftoi se do të luante me ngjyrat e Spanjës qepur në fanellat e futbollistëve.
Nën kërcënimin e sanksioneve nga shoqata spanjolle e futbollit, ekipi i Barcelonës më në fund ra dakord të luante një ndeshje me dyer të mbyllura me ekipin nga Ishujt Kanare, ku mbështetja për qeverinë qendrore është e fortë.
Rajoy: Shteti i së Drejtës u vendos në Katalonjë duke penguar referendumin
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy theksoi se Shteti i së Drejtës mbizotëroi në Katalonjë duke penguar zhvillimin e një referendumi vetëvendosës të ndaluar nga drejtësia.
“Sot, nuk pati një referendum vetëvendosje në Katalonjë. Shteti i së Drejtësmbeti në fuqi me gjithë forcën e tit”, deklaroi kryetari konservator gjatë një fjalimi në televizion.
Forcat e sigurisë bënë detyrën e tyre në Katalonjë dhe respektuan mandatin e drejtësisë që kishte ndaluar referendumin e vetëvendosjes të organizuar nga krerët separatistë, tha sot Rajoy.
“Do të ishte më e lehtë për secilin prej nesh që të kthenim shikimin nga ana tjetër”, shtoi kryetari konservator.
Konsultimi përbënte një sulm të vërtetë kundër Shtetit të së Drejtës (-) ndaj të cilit shteti reagoi me vendosmëri dhe qetësi”, theksoi kryeministri spanjoll.
Ndaje me miqte